Sikurse edhe për shumë gjëra të tjera në Kuranin famëlartë flitet edhe për hapësirën dhe kohën. Në ajetet e mëposhtme thuhet:
“Atje ngjiten engjëjt dhe Ruhi (Xhibrili) në një ditë që zgjat pesëdhjetë mijë vjet.” (Mearixh, 4)
“Ai i kordinon të gjitha çështjet prej qielli deri në tokë e pastaj të gjithë Atij do t’i shkojnë në Ditën e cila sipas llogaritjes tuaj zgjat një mijë vjet.” (Sexhde, 5)
Natyrshëm lindin pyetjet:
Pse është shkurtuar koha?
Pse vlerësimi i shkurtimit të kohës dallohet në dy ajetet e lartëpërmendura?
Në ajetin e parë kuranor dita përmendet se është e gjatë pesëdhjetë mijë vjet, ndërsa në ajetin e dytë një mijë vjet, edhe pse Kurani në dy ajetet e lartëpërmendura e potencon “lëvizjen”, konkretisht të “ngjiturit”?
Përgjigje më të mirë në këtë pyetje, në frymën e komentimit shkencor të Kuranit, jep drejtori i katedrës së Shkencave Natyrore pranë Fakultetit të Femrave të Universitetit “Ein Shems” në Kajro, ai është Dr. Mensur Muhammed Hasib Nebij.
Dr. Mensuri thotë: “Allahu e di më së miri, por përgjigjen e drejtpërdrejtë dhe bindëse në lidhje me këtë çështje, përkatësisht problematike, duhet ta kërkojmë në parimet themelore të “teorisë së relativitetit” të Ajnshtajnit, ndoshta atëherë do ta kuptojmë elokuencën shkencore të Kuranit, ku do të vërejmë se gjendemi para përsosshmërisë së madhe… me të cilën polemizojnë ata individë që veten e konsiderojnë të “mëdhenj” e që në të vërtetë s’janë asgjë tjetër përveç se kokëfortë, të pandjeshëm, të verbër dhe të pavetëdijshëm.”
Më tej Dr. Mensuri vazhdon: “Ajnshtajni e anuloi hapësirën dhe kohën në “teorinë e tij të njohur të relativitetit”, në vitin 1905 kur tha: “Nuk mundemi të bëjmë fjalë për kohën dhe të lëmë pasdore hapësirën, gjithashtu nuk mundemi të bëjmë fjalë për hapësirën e të mos e marrim në konsiderim kohën. Duke marë parasysh se gjithçka lëviz, ndërsa ajo gjithçka duhet ta ketë kohën e vet… e meqë gjithçka lëviz shpejt, koha e tij e lëvizjes do të pakësohet në raport me kohën e lëvizjeve të tjera dhe do të jetë më e ngadalshme se sa e tyre.”
Këtë shkurtim të kohës ne nuk e kuptojmë… Shtrohet pyetja: Pse? Sepse lëvizja jonë në tokë është e pamjaftueshme në raport me shpejtësinë lëvizëse, shpejtësia e së cilës është 300.000 kilometra në sekondë, përkatësisht 186.000 milje në sekondë, që në të njejtën kohë është edhe absolutisht shpejtësia më e madhe. Sa për ilustrim, trupthat atomik lindin dhe zhduken dhe pas një kohe të caktuar “jeta” u zgjatet, duke marrë parasysh shkurtimin e kohës, kuptohet nëse lëvizin me shpejtësinë e dritës…
Për shembull, le të paramendojmë një raketë e cila lëviz me shpejtësi 10 nga shpejtësia e dritës në drejtim të planetit i cili është larg nesh 20 vite të dritës, domethënë në largësi prej 120 miliard miljesh dhe nëse kjo raketë arrin të kalon një distancë kohore prej 25 vitesh sipas kalendarit tonë të të llogariturit, atëherë kjo kohë e njëjtë shkurtohet në 15 vjet në raport me kozmonautët që gjenden brenda në raketë!!!
Kjo, gjithnjë sipas “teorisë së relativitetit” të Ajnshtajnit, që do të thotë se prindërit që gjenden brenda në raketë mund t’i paramendojmë se pas kthimit nga udhëtimi astronautik janë bërë më të rinj se sa fëmijët e tyre, të cilët i kanë lënë në Tokë, pasi 30 vitet e zgjatjes së udhëtimit të tyre të nisjes dhe kthimit nga hapësira, i përgjigjen kohës prej 50 vitesh të jetuara në Tokë…
Sipas kësaj “teorie”, rruga e cila zgjat me mijëra vite sipas llogaritjes tokësore të kohës, mundet të zgjasë vetëm një ditë në raport me ekuipazhin në raketë, kuptohet nëse shpejtësia e lëvizjes i afrohet shpejtësisë së dritës.
Me të drejtë shtrohet pyetja: Vallë si mund ta kuptojmë shkurtimin e tillë të kohës në raport me ata anëtarë të ekuipazhit, të cilët udhëtojnë me shpejtësi të jashtëzakonshme? A mund të besojmë se mund t’i vizitojmë edhe pikat e fundit dhe më të largëta të kozmosit dhe të kthehemi në sipërfaqen e Tokës para se të përfundojë jeta jonë? Gjithashtu kur do të kthehemi do ta gjejmë gjeneratën e dytë dhe ndryshime të shumta në Tokë, ndryshime këto që na bëjnë me dije dhe na tregojnë se kanë kaluar mijëra vjet në raport me banorët e Tokës të cilët nuk kanë udhëtuar…?
E gjithë kjo do të ndodhte me kusht që udhëtimi të zhvillohet me shpejtësi e cila është e përafërt me shpejtësinë e dritës, pa marë parasysh pamundësinë e realizimit të një udhëtimi të tillë, pasi raketa e cila do të udhëtonte me këtë shpejtësi do të duhej të harxhonte lëndë djegëse (karburante) as më shumë e as më pak se dhjetë mijë herë më tepër se sa mbarë harxhimi i lëndëve djegëse për një vit në tërë rruzullin tokësor! E pamundshme apo jo!?
Ky është problemi i shkurtimit të kohës në rast të shpejtësive të mëdha, të cilat i afrohen shpejtësisë së dritës të cilën e vë në dukje Ajnshtajni.
Me të drejtë vetvetiu shtrohet një tjetër pyetje: A vërehet në mënyrë të dukshme përsosshmëria shkencore e shkurtimit të kohës e përmendur në Kuranin Fisnik në dy ajetet e lartëshënuara të sures Mearixh dhe Sexhde?
Disa pohojnë se ekziston kundërthënie, përkatësisht kontradiktë në përmbajtjen e këtyre dy ajeteve kuranore, duke marrë parasysh dallimin e shkurtimit të kohës në të dy udhëtimet…”
Dr. Mensuri vazhdon: “Mirëpo, kjo nuk është kontradiktë, por përkundrazi, përsosshmëri shkencore. Sipas “teorisë së relativitetit”, koha shkurtohet duke u varur në shpejtësinë e shtuar. Sipas kësaj, ngjitja e enjëjve dhe Xhibrilit (alejhi selam) do të ndodhë në një ditë e cila është e barabartë me kohën prej pesëdhjetë mijë vitesh” dhe që njëkohësisht jep kufizim (ngushtim) më të madh kohor, përkatësisht shpejtësia e “të ngjiturit” është më e madhe…, por “të ngjiturit” në ajetin tjetër do të përfundojë “në një ditë” e cila është e barabartë me “një mijë vjet”, që do të thotë një kufizim (ngushtim) më të shkurtër kohor.
Mirëpo këtu nuk ka kontradiktë, përkundrazi, e gjithë kjo është plotësisht e kuptueshme, pasi të gjithë ne e dimë se engjëjt dhe Xhibrili (alejhis-selam) janë krijesa drite, të cilat ngjiten më shpejtë se krijesat tjera për të cilat bëhet fjalë në ajetin tjetër.
Shtrohet pyetja: A e ka lexuar Albert Ajnshtajni Kuranin para shpalljes së “teorisë së relativitetit?” apo Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për të cilin biografët pohojnë dhe vërtetojnë besueshëm se nuk dinte shkrim-lexim. e ka njohur “teorinë e relatitivitetit” para se të shpallej kjo “teori” një mijë e treqind vjet pas vdekjes së tij?!!
Kjo vlen sa për informim për ata të cilët me padije dhe me kokëfortësi pohojnë se gjoja Kurani është vepër njerëzore…”
“Përsosshmëria shkencore”, – vazhdon më tej Dr. Mensuri, nuk përfundon vetëm me shkurtimin e kohës. Folja “je’aruxhu”, e përmendur në dy ajetet e sipërpërmendura të Kuranit, në apektin gjuhësor do të thotë: “Ngjitje shtegut të shtrembërt” e jo vijës së drejtë. “Shtegu i shtrembërt” është parimi themelor i “teorisë së relativitetit”, bashkim për të gjitha lëvizjet e materieve dhe forcave në vasionë (hapësirë), “teori” të cilën Ajnshtajni e elaboroi në vitin 1916 për ta shpjeguar barazpeshën (ekuilibrin). Pohimin e tij e plotësoi me pjerjen e dritës së planetit në kozmos dhe matjen e shtigjeve të shtrembërta.
Albert Ajnshtajni thotë: “I tërë kozmosi shtrihet në sipërfaqe, e cila është në trajtë të sferës së mbushur si balonë, i mbyllur në vetvete, që do të thotë se kozmosi nuk është brenda balonës, por me trupat e vet e formon sipërfaqen e balonës. Kështu që, për rrjedhojë, lëvizja e materieve në kozmos është pjertazi e jo drejtë.
Lidhur me këtë pohim të Ajnshtajnit, Dr. Mensuri thotë: “Këtë më së miri e shpjegon folja “je’aruxhu” që është përdorur në ajetet e sipërpërmendura, e jo ndonjë shprehje tjetër, për shpjegimin e udhëtimeve vasionike, që shpie tamam në precizitetin shkencor, sikur që përdoret edhe në ajetet kuranore vijuese:
“Edhe sikur Ne t’u hapnim atyre një derë në qiell dhe të ngjiteshin vazhdimisht lart në të (e të shihnin engjëjt e fshehtësisë).” (Hixhr, 14)
“E di se çka futet në Tokë dhe çka del prej saj dhe çka bie nga qielli e çka ngjitet në qiell…” (Sebe’ë: 2)
Është thënë se kozmosi ngjan sikurse një balonë. Ajnshtajni llogariti se gjysma e kozmosit është e barabartë me 35 bilion vite të dritës. Largësia e trupave të kozmosit njëri nga tjetri është vërtetuar dhe shkencërisht është argumentuar. Në lidhje me këtë tregon edhe ajeti kuranor vijues:
“Ne kemi ngritur qiellin me forcën tonë, por me të vërtetë mundemi edhe më tepër.” (Dharijatë, 47)
Kjo do të thotë që Allahu i Madhëruar qiellin, respektivisht kozmosin, e ndërtoi (ngriti) me Fuqinë e Përsosshmërisë së Vet qysh në periudhën parahistorike, në gjërësi shumë të madhe; si dhe zgjerimin e qiellit, që është dukuri konstante, në përputhshmëri me zgjerimin e kozmosit, gjë që edhe kjo shkencërisht është vërtetuar, të cilën e vërtetoi (shpalli) Hebeli pas llogaritjes që filloi në vitin 1929 e që vazhdon deri në ditët e sotme…
Pasi që Krijuesi, sipas Cilësive të Veta, dallohet nga krijesat e Tij, Ai është i Vetmi që nuk ka kufij, Ai është i Vetmi që është mbi hapësirën dhe kohën, siç na tregon ajeti kuranor vijues:
“Ai është i pari dhe i fundit, i Dukshmi dhe i padukshmi. Ai është i Gjithdijshëm për çdo send!” (Hadid, 3) dhe “…e Tij është çka ka në qiej dhe çka ka në Tokë…” (Bekare, 255)
“Sipas kësaj, – vazhdon Dr. Mensuri, Allahu i Madhëruar është Krijuesi i përhershëm. Ekzistenca e krijesave është e kufizuar me kohën, ndërsa ekzistimi i Krijuesit është i përhershëm për çdo kohë. Ai nuk ka të kaluar, të sotme dhe të ardhme. Ai, i Madhëruar qoftë, është përherë i Përhershmi…
Allahu i Madhëruar krijesave të veta ua ka dhënë kohën, kurse Ai Vetë është mbi rrjedhat e kohës. Gjithçka që Atij i është e njohur, vetmë ka ndodhur. Argument për këtë është se Allahu i Madhëruar i përshkruan ngjarjet e Ditës së Gjykimit me foljen e kohës së shkuar, edhe pse ajo (Dita e Gjykimit) ka të bëjë me të ardhmen…
“Erdhi (është afruar) caktimi i Allahut (Kiameti), pra mos kërkoni ngutjen (ardhjen para kohës) e tij!…” (Nahl, 1)
“… dhe do t’i fryhet (vërejtje: folja në të ardhmen) surit dhe të gjithë do t’i tubojmë.” (vërejtje: folja gjithashtu në të ardhmen) (Kehf, 99)
Allahu i Madhëruar nuk është i kufizuar me kohën dhe hapësirën. Ai është prezent (gjendet) në Tokë dhe qiej. Musa (alejhi selam) bisedoi me Allahun e Madhëruar në tokë (kodrinën Turi-Sina), ndërsa vulës së Pejgamberëve, Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në natën e Israsë dhe Miraxhit, ia zbuloi dhe tregoi shenjat e Tij më të mëdha në mbretërinë qiellore (Fronin e Tij, Arshin), ku koha dhe hapësira gjithashtu ishin të anuluara.”
Në fund, Dr. Mensuri thotë: “Allahu i Madhëruar, deri diku, edhe neve na ka dhënë aftësi që të lirohemi nga nocionet kohë dhe hapësirë me anë të imagjinatës, ëndërrave etj. Me anë të imagjinatës, imagjinon vitet e shkuara sikur të mos kishin kaluar fare. Kurse nëpërmjet ëndërrave thyhet bariera e kohës dhe hapësirës, pasi kjo forcë (pra, thyerja e nocionit kohë dhe hapësirë, shën. i përkth.) është shenjë e shpirtit të njeriut dhe dëshmi se shpirti është i pavdekshëm, i përjetshëm.
E njëjta gjë ndodh edhe me vetë shpirtin i cili del (largohet) nga gjymtyrët e trupit, dhe pa marë parasysh kohën dhe hapësirën, me anë të shpejtësisë së vet, shpejtësi kjo që vetëm Allahu i Madhëruar e di, mbërrin në botën tjetër, ahiret.”