Terror në burgun grek: Alket Rizai, i armatosur mban gjashtë pengje

Mediat greke bëjnë me dije se një triler i vërtetë po ndodh në burg, ku frika dhe tmerri ka pushtuar policinë greke nga Alket Rizai, i cili konsiderohet si një nga personat më të rrezikshëm me precedent penal në këtë vend.

Rizai ka marrë peng gjashtë persona të burgut grek në Malandrino, pasi ia doli të fus brenda të gjitha municionet.

Pengmarrja ka nisur në orën 21.00 të mbrëmjes së sotme, kur i dënuari Alket Rizai rrëmbeu katër oficerë të burgut (dy gra dhe dy burra) dhe dy të burgosur. Ai në dorë mbanë dy granata dhe një thikë, ndërsa deklaron se ka edhe një qese me 200 gramë lëndë eksplozive.

Rizai i ka kërkuar drejtorit të burgut t’i afrojë një makinë afër derës, për t’u arratisur, në të kundërt do të hedh në erë pengjet.

Policia thotë se situata është e rrezikshme, sidomos për faktin se ai është edhe nën efektin e substancave narkotike. Në burgun e Malandrino janë grumbulluar forca të shumta policie, shkruan Shekulli Online.

Alket Rizai, veç veprave të shumta penale për të cilat ngarkohet, dallon pasi është ai i cili organizoi arratisjen spektakulare me helikopter, së bashku me një tjetër të burgosur – të famshmin Basili Paleokosta, i cili ende vijon të jetë i lirë.

Sipas informatave të fundit, Rizai i ka thënë policisë se nuk është gati të negociojë dhe se kërkon vetëm largimin nga burgu, së bashku me dy të dënuar të tjerë. /Tg/kohaislame

Artikulli paraprakEkskluzive: Draft-marrëveshja Prishtinë-Beograd: Rajon evropian e jo asociacion!
Artikulli vijuesShqipëria strehon opozitën e Iranit