Tetë ish-gjyqtarë akuzohen për korrupsion

0
189

EULEX-i ka akuzuar dhjetë vetë, ndër ta tetë gjyqtarë për korrupsion në procesin e privatizimit të një kompanie shtetërore në Kosovë, ka njoftuar të martën misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e rendit dhe ligjit në Kosovë.

Ish-kryetari i gjykatës së Prishtinës dhe shtatë ish-gjyqtarë janë ndër personat e akuzuar për aferën e hetuar nga EULEX-i. Po ashtu akuza është ngritur edhe ndaj një avokati dhe një përfaqësuesi të kompanisë së privatizuar, thuhet në deklaratën e EULEX-it.

Mbi gjyqtarët rëndon akuza e “abuzimit me postin zyrtar dhe autoritetin, si edhe mbështetje në marrjen e vendimeve, që bien ndesh me ligjin”, vazhdon deklarata. Dyshohet se ata janë të përfshirë në 15 raste të lidhura me firmat publike.

Agjencia e lajmeve AFP, e cila ka publikuar lajmin, përmend se qeveria e Kosovës është marrëse e më shumë se 600 milionë eurove nga procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore, raporton DË.

Mediat vendase dhe ekspertët ekonomikë, thekson AFP, ngrenë shqetësimin se procesi është kthyer në një terren të lulëzuar të korrupsionit, që mbetet edhe problemi kryesor për vendin dhe vëzhguesit ndërkombëtarë dhe lokalë.

Sipas indeksit të korrupsionit të publikuar në vitin 2011 nga Transparency International, Kosova është renditur e 112-ta në radhën e 183 vendeve të marra në analizë nga organizata prestigjioze.

Ndërkohë në fillim të këtij muaji ishte ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi dhe 10 zyrtarë të tjerë të kosovarë, që u akuzuan për korrupsion dhe marrjen e ryshfeteve për të dhënë kontrata të rëndësishme në fushën e shëndetësisë.kohaislame