Mijëra qytetarë të Tetovës të revoltuar nga gjendja katastrofike ekologjike në qytet, përsëri dolën në rrugë për të kërkuar ajër të pastër dhe për të kërkuar nga organet kompetente të angazhohen në punën e tyre për zvogëlimin e ndotjes së ajrit në këtë rajon, raporton Anadolu Agency (AA).
Organizatori i kësaj proteste, kryetari i Lëvzijes “Eco Guerilla”, Arianit Xhaferi, në emër të qytetarëve të Tetovës parashtroi disa kërkesa tek qeveria e Republikës së Maqedonisë me afat deri të premten e ardhshme, në të kundërtën ata me protesta do të bllokojnë të gjitha rrugët dhe institucionet e qytetit.
Xhaferi në emër të mijëra qytetarëve të grumbulluar në sheshin “Iliria” në qendër të Tetovës, tha se qeveria e Maqedonisë i ka dhënë një afat shtesë kombinatit “Jughrom”, që deri në dhjetor të vitit 2016 të përmbush kapacitetet për punë, mirëpo siç theksoi ai, me këtë shkelet ligji dhe kushtetuta e vendit, përfshirë edhe shëndeti i qytetarëve të këtij rajoni.
Ai kërkon nga qeveria që të ndërpritet menjëherë puna dhe procesi i prodhimit në kombinatin Jugohrom deri në vendosjen e filtrave, zhvendosja e deponisë nga hyrja e qytetit të bëhet sa më parë, si dhe ndalesa e qarkullimit të të gjitha automjeteve që pa standarde ekologjike lëvizin në qytet.
“Merreni këtë ultimatum shumë seriozisht ose përballuni me revoltën e qytetarëve të Tetovës. Nëse këto kërkesa nuk plotësohen, sot u japim fjalën se nga java tjetër do të bllokojmë çdo gjë në qytet, komunën, gjykatat, hyrjen dhe daljen e qytetit, si dhe rrugët që çojnë në kombinatin Jugohrom. Por ju premtojmë se do të vijmë edhe në Shkup me protesta para qeverisë”, deklaroi Xhaferi.
Sipas tij, qeveria tashmë një kohë të gjatë ka dështuar t’i jap fund ekocidit mbi qytetarët e Tetovës, sepse siç tha ai, qeveria me arrogancë shpërfill kërkesat e tyre legjitime, duke u munduar të defokusojë opinionin në forma dhe mënyrë të turpshme. Ai shtoi se këta ndotës helmojnë dhe vrasin çdo ditë njerëz, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare dhe gjinore.
“Po flas në emër të të gjithë fëmijëve të Tetovës. Nuk duam të luajmë me lodra, por duam të shkojmë në shkollat tona. E vetmja gjë që duam është të marrim frymë lirisht. Me këtë ajër kaq të ndotur ne as frymë nuk mund të marrim, e si do të rritemi ne, më tregoni ju lutem. Ndaloni këtë tym që nuk na le të marrim frymë”, tha një fëmijë i vogël para qytetarëve të grumbulluar në sheshin “Ilira” të Tetovës.