Teuhidi dhe shirku

Teuhidi dhe shirku, dy nocione që kanë formuluar historinë e krijimit, të lindjes dhe të vdekjes, të ekzistencës dhe të shkatërrimit, të mirqënies dhe të rrënimit. Dy nocione që kanë vendosur për fatin e individëve, fiseve dhe kombeve dhe në fund edhe të vetë njerzimit. Për hirë të njërës prej tyre u krijua jeta dhe për shkak të tjetrës do të shkatërrohet. Jetë që nisi vetëm me një fjalë dhe po për hirë të saj do të marr fund.

Duke gërmuar nëpër rrënojat e historisë, nën gërmallat arkeologjike të fiseve, popujve dhe civilizimeve të hershme çuditërisht do të gjejmë mes tyre një linjë të përbashkët besimi. Megjithë dallimet në kohë, tradita dhe vende ku ata jetuan dhe u zhvilluan tek të gjithë ata do të gjejmë qartë dhe dukshëm shenja të paganizmit. Ndoshta gjurmët e shirkut janë edhe më të dukshmet se çdo gjë tjetër te këto popuj. Idhujt, altarët, statuja perëndish dhe mbishkrime të cilat më tepër se çdo gjë tjetër të informojnë për një kulturë pagane të këtyre popujve. Mbase do të ishte e vështirë të mund të dalloje aspekte të tjera të jetës dhe moralit të këtyre pupojve por më lehtë se gjithshka do të ishte të dalloje natyrën idhujtare dhe okulte të tyre. Ndoshta kjo është edhe arsyeja që i ka shtyrë marksistët dhe ateistët e të gjitha ngjyrave të besojnë se feja lindi fillimisht si një besim pagan e më pas ajo evoloi në atë monotheist. Në fakt ne nuk besojmë aspak kështu, monoteizmi ka ekzistuar që në fillimet e jetës ndonëse në shekuj ndjeksit e tij kanë qenë të pakët dhe nuk kanë pasur objekte kulti dhe as shënja të dukshme përveç ndonjë shënimi historik. Dhe kjo për vetë faktin se siç na tregon edhe Kurani besimtarët gjithmonë patën qenë shtresa më e dobët e popullsisë dhe më e pakta në numër. Ndaj atyre u duhej të vuanin tortura dhe përbuzjet pagane të popujve të tyre të cilët më pas për shkak të idhujtarisë së tyre do të shkatërroheshin duke mbartur me vehte edhe provat e jetës së tyre pagane, pse jo edhe të shkatërrimit të tyre.

Habitesh se si njerëz të cilët qenë të aftë të ndërtojnë piramida, kulla dhe qytetet të tërë në brendësi të maleve, të njihnin fizikën, kiminë dhe të bënin përllogaritje astronomike nga më të saktat dhe të ngrini civilizime mijra vjeçarë të zhduken papritur nga faqia e dheut pa lënë pasë as edhe një vijë gjeanalogjike e cila do të trashëgonte traditat dhe besimet e këtyre popujve dhe ne do të mund të njiheshim më mirë me historinë dhe traditat e tyre! Por përveç rrënojave të tyre ata asnjë pasardhës tjetër nuk lanë. A mos vallë ishte shirku ai që u bë shkaktari kryesor i rrënimit të këtyre njerzve?

Le ta ndjekim historinë që nga fillimi dhe të kuptojmë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë me keta njerëz.

Historia fillon pikërsiht këtu:

“Përkujto kur Zoti Yt nxori nga shpina e bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri dëshmues të vetes së tyre(duke u thënë): “A nuk jam Zoti juaj?” Ata thanë: “Po, dëshmuam!” Të mos thoni në ditën e kijametit: “Ne nga ky (dëshmim) ishim të panjohur. Ose të mos thoni: “Prindërit tanë më parë ishin idhujtarë, e ne ishim pasardhës të tyre. A do të na shkatërrosh ne për atë që bënë ata asgjësues të së vërtetës?”[1] “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër veç që të më adhurojnë.”[2]

Një kauzë u vendos dhe një marveshje u krye. Para nesh shfaqet i qartë sekreti i krijimit dhe i ekzistencës, sekreti i fillimit dhe i mbarimit. Krijuesi vendosi të krijoi njeriun për një qëllim të vetëm; ta adhuronte vetëm Atë dhe të jetonte konform këtij besimi, në të kundërt krijimi i njeriut do të humbte qëllimin e tij të ekzistencës dhe të Madhëruarit do t’i duhej t’i jepte fund të gjithë atyre elementëve që do të dilnin jashtë këtij qëllimi për të cilin u krijuan. Ai u dha atyre edhe një premtim për këtë: “E drejta e Allahut ndaj njerzve është ta adhurojnë Atë dhe të mos i bëjnë Atij asnjë ortak (në adhurim),e ndërsa e drejta e njerzve ndaj Allahut është që Ai të mos ndëshkoj atë të cilin nuk i bën shirk Atij”[3] “O biri i Ademit sikur ti të më vishë me gjynahe sa toka dhe nuk më bën mua aspak shirk Unë do të përgjigjem ty me po të njëjtën masë falje”[4]

Smira dhe intriga e Iblisit bëri që babai i racës njerzore të dilte nga Xheneti, mirpo ai nuk do të mjafohej me kaq, urretja ndaj racës njerzore e shtyri atë që ai kurrë të mos heqë dorë nga shkatërrimi i tij. Mirpo duke qenë i pa aftë ta bënte vëtë këtë ai do të mundohej ta largonte atë nga qëllimi për të cilin ai u krijua dhe kështu ai me të drejtë do të meritonte ndëshkimin e Krijuesit të tij. Djalli shpesh herë do t’ia arrinte qëllimit të tij por ai gjithmonë në rrugën e tij do të kishte pengesa dhe këta pengesa ishin Profetët të cilët Allahu falë mëshirës së Tij do t’ia dërgonte rracës njerzore për t’i kujtuar asaj marveshjen dhe për t’i paralajmëruar për rrezikun që u kanosej në rast të thyerjes së kësaj marveshje. “Ne nuk dërguam asnjë të dërguar para teje e të mos i kemi shpallur atij se: nuk ka zot tjetër përveç Meje, pra më adhuroni!”[5] “Ne dërguam në çdo popull të dërguar që t’u thonë: “Adhuroni vetëm All-llahun, e largohuni djajve (adhurimit të tyre)!” Por, pati nga ata që All-llahu i udhëzoi dhe pati nga ata që ishte i gjykuar me humbje, pra udhëtoni nëpër botë dhe shihni se si ishte fundi i gënjeshtarëve?”[6] “(Ne çuam) të dërguar që ishin përgëzues e kërcënues, ashtu që pas dërgimit të dërguarve njerëzit të mos kenë fakt (arsyetimi) para Allahut.”[7]

E megjithkëtë shirku u shfaq tek pasardhsit e Ademit dhe kështu Allahu dërgoi Nuhun profetin e Tij të parë pasi kjo e keqe filloj të hedhë rrënjët e saj.

“Ne patëm dërguar Nuhun te populli i vet, e ai i tha: “O populli im, adhuroni vetëm Allahun, ju nuk keni zot tjetër veç Tij. Unë kam frikë për dënimin Tuaj në një ditë të madhe!”[8] “Ne e dërguam Nuhun tek populli i tij (dhe i thamë): “Tërhiqja vërejtjen popullit tënd para se ata t’i godasë dënimi i rëndë! Ai tha: “O populli im, unë jam i dërguar te ju, jam i qartë. Adhuroni Allahun, kini frikë prej Tij dhe mua më dëgjoni. Ai u falë juve nga mëkatet tuaja dhe ua vazhdon jetën deri në një afat të caktuar(pa u dënuar), e kur të vijë afati i caktuar prej Allahut, ai nuk shtyhet për më vonë, nëse jeni që e dini.” Mirpo megjithë përpjekjet e vazhdueshme të Nuhut që ata të ktheheshin nga shirku ata nuk u tërhoqën nga idhujt e tyre. “Ai tha: “O Zoti im, unë e thirra popullin tim natën e ditën. Por thirrja ime vetëm ua shtoi ikjen. Dhe sa herë që unë i thërritja ata për t’u falur Ti mëkatet, ata i vënin gishtat e tyre në veshë dhe e mbulonin kokat me teshat e tyre dhe vazhdonin në atë të tyren me një mendjemadhësi të fortë…Dhe ata (pasanikët) u kurdisën atyre kurthe shumë të mëdha”. Dhe u thanë: Mos braktisni zotat tuaj kurrsesi, mos braktisni Vedda-në, as Suvva-në, e Jeguth-in, Jeukë-n e Nesre-n. Dhe ata i bënë të humbur shumë prej tyre, e Ti zullumqarëve mos u jep tjetër, por vetëm humbje.” Dhe kështu që ata gjetën atë që meritonin dhe atë për të cilën shpesh herë ishin pralajmëruar. “Për shkak të mëkateve të tyre ata u përmbytën dhe menjëherë u futën në zjarr
dhe ata, përveç Allahut, nuk gjetën ndihmëtarë. E Nuhu tha: “O Zoti im, mos lë mbi tokë asnjë nga jobesimtarët! Sepse, nëse Ti i lë ata, robërit Tu do t’i humbin dhe prej tyre nuk lind tjetër, vetëm të prishur e jobesimtarë.”[9] Ky ishte fundi i popullit të Nuhut mëkati i të cilit nuk qe tjetër veçse shirku, dhe ja pasoja e tij!

Dhe tashi le të shohim një popull tjetër, një tjetër Profet dhe një tjetër ngjarje.

“Edhe te (populli) Ad-i (dërguam) vëllain e tyre Hudin, e ai tha: “O populli im, adhuronie (një Zot) Allahun, ju nuk keni zot veç Tij, a nuk po frikësoheni?!” E njëjta thirrje, mirpo fatkeqsisht e njëjta përgjigje! “Paria që nuk besoi nga populli i tij tha: “Ne po të shohim mendjelehtë dhe të konsiderojmë vërtet rrenacak!” Dhe përsëri Profeti i Zotit këmbëngul “Tha (Hudi): “O populli im, nuk jam mendjelehtë, por unë jam i dërguar prej Zotit të botëve. Që t’u komunikoj shpalljet e Zotit tim, dhe unë jam këshillues besnik për ju. A mos ju erdhi çudi që ju erdhi lajmi përmes një njeriu nga mesi juaj, e për t’ju tërhequr vërejtjen. Perkujtoni kur Ai ju bëri sundues pas popullit të Nuhut dhe ju shtoi fuqinë fizike. Përkujtoni të mirat e Allahut që të gjeni shpëtim. Ata thanë: “A na erdhe (të na frikësosh) që të adhurojmë vetëm Allahun e të braktisim atë ç’ka adhuronin prindërit tanë? Nëse je i vërtet (çka thua) sillna atë që na premton (kërcenohesh).” E njëjta paturpësi dhe e njëjta mëndjemadhsi! “(Hudi) Tha: “Juve ju gjeti dënimi dhe përbuzja nga Zoti juaj. A më polemizoni mua për emra (të idhujve) që i emëruat ju dhe prindërit tuaj, e që për ta Allahu nuk shpalli kurfarë argumenti? Pritni pra, (dënimin) edhe unë së bashku me ju jam duke e pritur. Ne më mëshirën tonë e shpëtuam atë dhe ata që ishin me të, dhe i shkulëm nga rrënja, ata që përgenjeshtruan argumentet Tona dhe nuk ishin besimtarë.”[10] “Edhe te (populli) Adi (dërguam) nga mesi tyre Hudin që tha: “O populli im, ju nuk keni zot tjetër veç Tij, ju vetëm po hutoheni me trillime… Ata thanë: “O Hud, ti nuk na solle ndonjë argument, e ne nuk i brakisim zotat tanë për fjalën tënde dhe ne nuk të besojmë ty. Ne nuk themi tjetër vetëm se dikush prej zotave tanë të ka goditur me çmendje! Ai tha: “Unë dëshmitar e kam Allahun, e ju dëshmoni se unë jam larg nga ajo çka ju i shoqëroni… E kur arriti vendimi Ynë (për dënim), Ne me mëshirën Tonë e shpëtuam Hudin, e bashkë me të edhe ata që kishin besuar. I shpëtuam prej dënimit të rëndë. E ato ishin (gjurmë të gënjeshtrave të fisit)Ad-ët, që mohuan argumentet e Zotit të tyre, kundërshtuan të dërguarin e Tij, shkuan pas urdhërit të çdo kryelarti kundërshtar. Ata u përcollën me mallkim si në këtë botë, ashtu edhe në ditën e gjykimit. Le të dihet, Adët mohuan Zotin e tyre. Qoftë i shkatërruar Adi, populli i Hudit!”[11]

I njëjti përfundim po për të njëjtin mëkat!

Dhe përsëri historia e një populli tjetër, këtë here Salihu dhe populli i tij.

“Edhe te (populli) Themud e patëm njërin prej tyre, Salihun, e ai u tha: “O populli im, adhuronie Allahun, ju nuk keni zot tjetër veç Tij, Ai së pari ju krijoi nga dheu dhe ju bëri banues të tij, andaj kërkoni falje prej Tij, dhe shprehni pendim te Ai. S’ka dyshim, Zoti im është afër(me mëshirë), Ai përgjigjet (lutjeve)”! Ata thanë: “O Salih, ti ishe shpresë e jona para kësaj. Si mund të na ndalosh të adhurojmë atë që adhuruan prindërit tanë? Vërtet, ne jemi shumë të dyshimtë e në dilemë në atë që na thërret ti! O populli im, më tregoni ju, nëse unë jam (i bazuar) në argument (të qartë) nga Zoti im, dhe Ai të më ketë dhënë mua mëshirë (gradën pejgamber) nga ana e Tij, kush do të më mbrojë mua nga Allahu, nëse unë kundërshtoj Atë? Ju nuk më shtoni tjetër vetëm humbje. O populli im, kjo është devja e Allahut, për ju është një argument. Lëreni pra, të ushqehet në tokën e Allahut e mos e prekni me ndonjë të keqe e t’iu godas menjëherë dënimi! E megjithatë, ata e therrën atë, e ai (Salihu) ju tha: “Përjetoni në vendin tuaj tri ditë, ky është caktim jo i rrejshëm! E kur erdhi vendimi Ynë (për dënim), Ne e shpëtuam Salihun nga poshtërimi i asaj dite, e bashkë me të, edhe ata që besuan. Zoti yt është ai i fuqishmi, ngadhënjyesi. Ndërsa ata që bënë zullum, i kapi (në ditën e katërt) krisma dhe gëdhinë kufoma (të ngrira) në vendin e tyre. (gëdhinë) Sikur të mos kishin qenë fare në të. Kuptonie pra, (populli) Themud e mohoi Zotin e vet. Mallkimi qoftë kundër Themudit!” [12] Megjithë që këta ishin njerëz që i kthyen malet në venbanime ç’ka askush më parë nuk e kish bërë e megjithatë… “Ata skalisnin shtëpia në kodra shkëmbore për të qenë të sigurt. E ata në mëngjes i goditi gjëmim i tmerrshëm e shkatërrues. Dhe nuk u ndihmoi atyre asgjë ajo që vepruan.”[13]

Themudi e mohoi Zotin e vet. Mallkimi qoftë kundër Themudit! Refren që për fat të keq do t’i ndjek nga do pas popuj dhe njerëz të tillë gjatë gjithë historisë së njerzimit deri në ditët e fundit të saj!

Por le të flasim edhe për një popull tjetër atë të Shuajbit.

“Edhe Medjenit (i dërguam) vëllain e tyre Shuajbin që ju tha: “O popull im, adhuronie All-llahun, ju nuk keni Zot tjetër veç Tij, mos matni as mos peshoni mangut, unë po shoh se jeni në gjendje të mirë jetësore, pra unë po frikësohem për ju nga dënimi që do t’ju përfshijë një ditë!” Mirpo si edhe herët e tjera i njëjti avaz kundërshtimi dhe e njëjta kokëfortësi “Ata thanë: “O Shuajb, a namazi yt po të thotë të na urdhërosh që ta braktisim atë që adhuruan prindërit tanë, ose (po të urdhëron) për të punuar në pasurinë tonë ashtu si të dëshirojmë?… O populli im, kundërshtimi ndaj meje të mos u shpie (në mosbesim) që t’iu gjejë ajo që e gjeti popullin e Nuhut, popullin e Hudit ose popullin e Salihut. E populli i Lutit nuk është larg prej jush. Kërkoni falje Zotit tuaj sinqerisht pendohuni ndaj Tij. Vërtet, Zoti im është mëshirues, shumë i dashur. Ata thanë: O Shuajb, ne nuk po e kuptojmë shumicën nga ajo që thua dhe ne të konsiderojmë ty të dobët në mesin tonë, dhe sikur të mos ishte ai grupi yt, ne do të gurëzonin ty, ngase ti nuk je i çmuar ndër ne. Ai tha: “O populli im, a është më i çmuar te ju farefisi im se Allahu, që e keni hedhur Atë pas shpine? Nuk ka dyshim, Zoti im i di të gjitha ato që veproni.” Dhe së fundi po i njëjti përfundim! “O populli im, veproni sa të mundeni, unë veproj, e më vonë do ta kuptoni se kush do të pësojë atë dënim që e poshtëron dhe kush është ai rrenacak. Pritni se edhe unë së bashku me ju jam duke pritur. E kur erdhi urdhëri Ynë, Ne me mëshirën tonë e shpëtuam Shuajbin dhe bashkë me të edhe ata që besuan, ndërsa zullumqarët i kapi britma e tmerri, duke gëdhirë në vendin e tyre kufoma të gjunjëzuara. (gëdhinë) Si të mos kishin ekzistuar fare aty. Qoftë i shkatërruar Medjeni sikurse ishte shkatërruar Themudi!”[14] Qoftë i shkatërruar Medjeni sikurse ishte shkatërruar Themudi!

Dhe kështu po të rendim në historinë njerzore do të gjejmë me dhjetra shembuj të sa e sa popujve të cilët patën të njëjtin përfundim për të njëjtin mëkat. Është e vërtetë që këta njerëz pat
ën edhe mëkate të tjera por në çdo rast ata kishin një gjë të përbashkët dhe pa dyshim që kjo gjë ishte shirku. “Para tyre përgënjeshtruan populli i Nuhut, banorët e Bunarit (të pusit) dhe Themudi. Edhe Adi, edhe Faraoni dhe vëllezërit e Lutit. Edhe banorët e Ejkes, populli i Tubbeit. Të gjithë i përgënjeshtruan të dërguarit, atëherë e merituan dënimin Tim.”[15] “Edhe Adin, Themudin, banorët e Res-it dhe shumë gjenerata ndërmjet tyre (i shkatërruam). E secilit prej tyre u patëm sjellë argumente, por të gjithë i rrënuam.” [16]

“Për shkak të veprave (të këqija) të njerëzve janë shfaqur në tokë e në det të zeza,(skamje, shkatërrime, katastrofa etj) e për ta përjetuar ata një pjesë të asaj (të keqe) që të tërhiqen (nga të këqijat).”[17] Po a ka vepër më të keqe se sa shirku i cili bie drejt për drejt në kundërshtim me qëllimin e krijimit dhe funksionit të njeriut në tokë. Po a nuk u krijua njeriu veç se për të adhuruar Zotin e tij të vetëm?! E ç’vlerë do të kishte jeta e tij nëse ai nuk do ta kryentë më këtë funksion?! A është e llogjikshme dhe e pranueshme që qënia njerzore e krijuar dhe furnizuar në çdo moment të jetës nga krijuesi i saj deri edhe me ajrin që thith t’ia përkushtoj jetën dikujt tjetër veç Tij?! A po bashkë me Të ai të ketë edhe të adhuruar të tjerë?! Krijuesi i jonë dhe i universit me të drejtë bëhët xheloz dhe nuk fal që dikush njëkohësisht t’i shërbej dy padronve Atij që e meriton dhe atij që nuk e meriton. “Allahu nuk fal t’i bëhet ortak Atij (në adhurim e sundim) dhe fal veç kësaj atë që do”[18] Prandaj edhe një botë ku nuk adhurohet më Allahu por admirohen idhuj dhe doktrina pagane është e kotë më që të jetojë. Këtë ide fare mirë mund ta shohim edhe nga ky ajet Kuranor: “Sikur të kishte në to (në qiej e në tokë) të adhuruar veç Allahut, ato të dyja do të shkatërroheshin. Larg asaj që i përshkruajnë është Allahu, Zot i Arshit.”[19] Nga kjo mund të kuptohet fare qartë se nëse në tokë nuk do të adhurohej më Allahu po dikush tjetër veç Tij atëherë me të drejtë do të merrte fund edhe qëllimi i ekzistencës së saj pasi në të askush më nuk gjendet që të plotësoj këtë kusht të ekzistencës. Allahu për hirë të teuhidit e krijoi jetën dhe kur shirku të sundoj edhe jeta atëherë duhet të marrë fund. Kjo gjë bëhet edhe më e qartë nga thënia e Profetit (alejhi salatu ue selam): “Nuk ka për tu bërë Kijameti përderisa në tokë të thuhet: la ilahe il-lallah”[20] E pra edhe kur as edhe formula e Teuhidi dhe as emri i Allahut të mos përmenden më, dhe kur as edhe një shenjë e adhurimi të një Zoti të mos ketë mbetur më në mendjet e njerzve dhe natyrisht shirku dhe anarshia morale do të kenë zaptuar globin atëherë edhe jeta do të marr fund. Ky është ligji i Zotit mbi tokë dhe “Fjalët e Zotit tënd janë plot të vërteta (çka lajmërojnë) dhe plot të drejta (çka gjykojnë). S’ka kush që t’i ndryshojë fjalët (vendimet) e Tij.”[21]

Ky është pra shirku dhe jetëgjatsia e tij, sepse edhe ai si edhe gënjeshtra e ka jetën e shkurtër, por a nuk është shirku vallë gënjeshtra dhe shpifja më e madhe që i bëhet qënies dhe ekzistencës më të madhe?! Kjo është edhe arsyeja pse ky mëkat ka edhe ndëshkimin më të madhë e të pa falshëm dhe me pasoja shkatërrimtare që në këtë botë siç edhe u pa.

 

 

 

 

 

 

 


[1] Sure El-araf: 172-173.

[2] Sure Edh-dharijat:56.

[3] Hadith trs.Buhari dhe Muslim

[4] Hadith trs. Tirmidhiu 3534

[5] Sure El-enbija: 25

[6] Sure En-nahl: 36

[7] Sure En-nisa: 165

[8] Suretu El-araf: 59

[9] Shih suren Nuh.

[10] Suretu El-araf: 65-72.

[11] Suretu Hud: 50-60.

[12] Suretu Hud: 61-68.

[13] Suretu Hixhr: 82-84

[14] Suretu Hud: 84-95

[15] Suretu Kaf: 12-14

[16] Suretu Furkan: 38

[17] Suretu Er-rum:41

[18] Suretu Nisa: 48

[19] Suretu El-enbija: 22

[20] Trs.Ahmedi 13421

[21] Suretu En-am:115

 

Justinian Topulli

Artikulli paraprakPesë dobi shëndetësore të pastrimit
Artikulli vijuesLO: 202 MILIONË TË PAPUNË