VLORË: KARTËMONEDHAT LOKALE, MË PARA KRIJIMIT TË BANKËS SË SHQIPËRISË

0
173

Ky fakt interesant për historinë e këtij qyteti përbën një realitet në një periudhë kur Vlora po përjetonte ritmet e një zhvillimi të spikatur.
Bashkia e Vlorës ka prerë kartëmonedhat e veta përpara krijimit të Bankës së Shqipërisë. Ky fakt interesant për historinë e këtij qyteti përbën një realitet në një periudhë kur Vlora po përjetonte ritmet e një zhvillimi të spikatur.

Studiuesi vlonjat, Fahri Shaskaj, thotë për ATSH-në se, në Vlorë kishte lindur nevoja e një kartëmonedhe që të pasqyronte këtë zhvillim dhe të reflektonte marrëdhëniet në treg dhe veçanërisht në tregun e pasurive të paluajtshme. Sipas tij, në vitet 1923-1924 bashkinë e Vlorës e drejtonte Qazim Kokoshi, një nga ish-kryetarët e bashkisë më me vizion, firmëtar i aktit të Pavarësisë Kombëtare dhe një nga protagonistët e Luftës së Vlorës në vitin 1920.

Një staf financierësh dhe ekonomistësh mjaft të përgatitur të formuar kryesisht në universitete perëndimore, pjesë e administratës së bashkisë, evidentuan nevojën e prerjes së kartëmonedhave, ose parave të bashkisë (në fakt ato ishin letra me vlerë), siç i cilësuan. Përballë këtij propozimi, kreu i bashkisë së asaj periudhe nuk nguroi të firmoste, çka i hapi rrugë një ngjarjeje të paprecedent në fushën e financave në Shtetin Shqiptar të asaj kohe.

Me vendimin e datës 11 maj 1924, bashkia e Vlorës nxori paratë e saj, që mbajnë firmën e kryetarit të bashkisë si dhe të arkëtarit. Në kartëmonedhë shkruhet: “Sigurohet me pasurinë e pa tundshme të bashkisë”. Kjo kartëmonedhë, që në realitet kishte cilësinë e letrave me vlerë, ose të obligacioneve, njihej në një territor të kufizuar, në Vlorë. Por, fakti që si garanci për të vihej pasuria e patundshme e bashkisë, përbën një ngjarje mjaft interesante. Kjo edhe për arsyen tjetër se, në atë kohë në Shqipëri nuk ishte krijuar ende Banka e Shtetit Shqiptar. Dihet se Banka Kombëtare e Shtetit Shqiptar u themelua në vitin 1925 dhe kartëmonedhat e para u emetuan në shkurt të vitit 1926.

Por, në Vlorë në atë periudhë funksiononte Banka e Napolit, një institucion financiar privat i krijuar në vitin 1850 nga familja e njohur vlonjate Bezhani.

Në vitin 1925, kryetar i bashkisë së Vlorës u zgjodh Nuredin Bej Vlora, nip i Ismail Qemalit, i diplomuar në Paris, që u përpoq të hapte Bankën Shtetërore. Ndërkohë, bashkia e vazhdoi prerjen e kartëmonedhave të Vlorës. Në kartëmonedhën e këtij viti përveç shkabës dykrenore është edhe portreti i Ismail Qemalit. “Në këtë drejtim, prerja dhe hedhja në qarkullim e kartëmonedhave të Bashkisë së Vlorës në vitin 1924, përbën një rast të rrallë dhe të paprecedent në historinë e qyteteve të vendit”, thotë Shaska. Sipas tij, megjithëse njihej në një territor të kufizuar kjo kartëmonedhë kishte atribute të plota në treg.