Tirana e Roma “online” për refugjatët

Vizita në Itali e ministrit të Brendshëm të Shqipërisë Saimir Tahiri, për të diskutuar bashkëpunimin italo-shqiptar për çështjen e refugjatëve, është shoqëruar edhe me veprime konkrete.

Një burim qeveritar i tha Top Channel se, një grup ekspertësh të Ministrisë së Brendshme shqiptare dhe asaj italiane janë duke hartuar një marrëveshje bashkëpunimi.

Memorandumi përmban detaje të hollësishme të anës operacionale në terren, për t’i paraprirë një vale të mundshme refugjatësh, të cilët po i afrohen kufirit jugor të Shqipërisë.

Pika më e rëndësishme e memorandumit do të jetë mënyra e mbikëqyrjes së përbashkët shqiptaro-italiane e të gjithë brezit kufitar prej 280 kilometrash me Greqinë.

Në memorandum do të parashikohet me detaje, numri i pikave të përbashkëta të kontrollit, sa do të jetë numri efektivëve shqiptarë dhe italianë, përfshi aspektet logjistike.

Po ashtu edhe hapësira detare shqiptare do t’i nënshtrohet një monitorimi të rreptë, për të parandaluar çdo tentativë trafiku. Për këtë pritet dislokimi i mjeteve lundruese të “Guardia di Finanza”-s në portet e Vlorës, Durrësit dhe Shëngjinit.

Një aneks i veçantë në memorandum parashikohet edhe për shkëmbimin e informacioneve të ndërsjellta, mes shërbimit sekret shqiptar dhe atij italian, për refugjatët sirianë potencialisht të rekrutuar nga Shteti Islamik.

Ndërkohë, mësohet se nuk kanë munguar as komunikimet telefonike mes kryeministrit Rama dhe homologut italian, Renzi, po për këtë çështje.

Memorandumi mes Italisë dhe Shqipërisë, që pritet të përfundohet në ditët në vijim, do të marrë firmat nga dy kryeministrat Rama dhe Renzi, ose të ministrave të Brendshëm Tahiri-Alfano.

Artikulli paraprakVIDEO – Zullumi ndaj nënës dhe lutja e saj e pranuar (ndodhi interesante)
Artikulli vijuesMeta pret Gundogun: Të forcojmë marrëdhëniet me Turqinë