Ne jemi të dëshmitarë të sulmeve të përditshme mediatike ndaj Islamit dhe muslimanëve.
Çfarë dëshirohet të arrihet me këtë…?
Gazetari dhe publicisti gjerman, Jurgen Todenhofer, gjatë një emisioni televiziv në Gjermani, u mundua të sqaroi domethënien e stereotipeve mediatike dhe propagandës së fuqishme antiislame, në veçanti në ditët e sotme kinse ajo paraqet problem kryesor të dhunës dhe terrorizmit:
Sot shumica e perëndimorëve nuk e kanë idenë rreth botës islame. Shumica e evropianëve kanë harruar se paraardhësit e tyre kolonizuan tokat islame dhe vranë miliona muslimanë. Nëse kjo merret parasysh, atëherë del se Perëndimi dhe evropianët perëndimorë janë dhunues dhe terroristë më të mëdhenj.
Për fat të keq, ne perëndimorët nuk e pushtuam botën për shkak se ideologjia dhe feja jonë janë më të madhërishme, por nga shkaku se në mënyrë të pamëshirshme dhe të pashpirt aplikonim fuqinë mbi të tjerët. Nuk masakruan muslimanët 4 milionë njerëz gjatë luftërave të kryqëzatave, nuk vranë muslimanët mbi 50 milionë njerëz gjatë kohës së kolonializmit, nuk i filluan luftërat botërore muslimanët të cilët me vete morën mbi 70 milionë jetë.
Megjithatë, edhe krahas kësaj, ne patëm sukses në bindjen e opinionit në vërtetësinë e një mashtrimi famëkeq: se ne jemi të mirë dhe fisnik, ndërsa muslimanët të këqij dhe të dhunshëm. Unë gjatë kohë kalova në Irak dhe ju them se amerikanët kryejnë nga njëqind aksione ushtarake në ditë në formë bastisjeje, arrestime, vrasje të njerëzve të pafajshëm dhe ngjashëm, mirëpo edhe ushtria irakiane kryen nga njëqind aksione në luftë kundër okupatorit, por mediet amerikane nga e gjithë tregojnë një apo dy aksione vetëvrasëse ashtu që ta arsyetojnë agresionin e tyre ndaj Irakut.”
Historia ka shënuar gjithçka kanë kryer sistemet e ndryshme shoqërore të cilat nuk bazoheshin në udhëzimin e Krijuesit të qiejve dhe të Tokës, sa njerëz janë ekzekutuar padrejtësisht, sa njerëz e kaluan jetën e tyre në terror dhe padrejtësi. E kujtojmë që jo moti komunizmi vrau miliona njerëz, ndërsa vetëm Allahu e di sa e sa njerëz e kaluan jetën e tyre në frikë, vuajtje dhe pasiguri.
Atë që gjithashtu shpesh e dëgjojmë dhe lexojmë nga ata të cilët e kanë detyrë kryesore mbajtjen e njerëzve në frikë nga Islami, t’ua risin urrejtjen dhe paragjykimet rreth Islamit dhe kinse Islami është përhapur me shpatë.
Do ta lejojmë që t’u përgjigjet një jomusliman, historian me renome botërore, De Laci O’Leary, i cili thotë: “Historia tregon se legjenda e muslimanëve fanatikë që e përmbysin botën duke i detyruar dhe nënshtruar popujt nën kërcënimin e shpatës, në fakt janë trillime dhe mite të pakuptimta të historianëve.”
Islami ka dëshmi kundër çdo muslimani i cili kryen ndonjë të keqe, padrejtësi apo diçka që nuk është hijshme.
Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En-Nahl, 90)
Ibën Kethiri kur i komenton fjalët: “…si dhe ndalon dhunën”, thotë, ajo paraqet sulm dhe armiqësi ndaj njerëzve. Në hadith thuhet: “Nuk ka mëkat më të madh se sa ndërprerja e marrëdhënieve familjare.”
Në ajetin tjetër thuhet:
“Por përpiqu me atë që të ka dhënë Allahu të fitosh jetën e botës së ardhshme, duke mos harruar pjesën tënde në këtë botë. Bëju mirë të tjerëve, ashtu si të ka bërë mirë ty Allahu. Mos kërko ngatërresa në Tokë, sepse Allahu nuk i do ngatërrestarët.” (El-Kasas, 77)
Në një hadith kudsi, Allahu i Madhëruar thotë: “O robërit, Unë vetes ia kam ndaluar dhunën dhe ua kam bërë të ndaluar edhe në mesin tuaj.”
Përshtati: Lutfi Muaremi
(Islampress)