Tolstoi – Si e braktisi Krishterimin?
Kam dashuruar Krishterimin më shumë sesa Kishën, tani më shumë dashuroj të vërtetën se të gjithë botën.
Tolstoi përbën një dukuri të jashtëzakonshme në letërsinë Evropiane dhe në atë botërore. Elementi i pazakontë ndodhet jo vetëm në veprat e tij, por edhe në pikëpamjen historiciste të mënyrës së të jetuarit dhe të menduarit të tij.
Koordinatat kohore të shekullit XIX, periudhë në të cilën ai jetoi dhe krijoi, i kalojnë kufijtë deri në bashkëkohësi.
Përthyerja e rrafshit kohor dhe hapësinor vjen për shumë arsye. Të parat janë arsye që lidhen me vetë jetën e shkrimtarit, sepse Tolstoi dhe pse jetoi në Rusinë krishtere, u bë ithtar i fesë islame duke befasuar mjedisin rrethues. Kjo nismë nuk mbeti në trajtën e një bindjeje vetjake, por solli revolucion shoqëror duke ndikuar në mendimin dhe edukimin fetar rus.
Shembull i drejtpërdrejtë i këtij revolucioni është botimi i broshurës së titulluar “Muhammed”, vepër e publikuar gjatë periudhës së mbretërisë ruse në vitin 1909.
Kjo vepër nuk pati suksesin e vlerave reale që mbarte, për shkak se titulli konsiderohej heretik për shoqërinë ruse.
Vetëm në 1990, pas një periudhe shtatëdhjetëvjeçare të Bashkimit Sovjetik, vepra e Tolstoit do të gjejë përsëri lexuesin dhe do të zgjohet interesi për vlerat fetare.
Populli rus, veçanërisht intelektualët e vlerësonin Tolstoin për shkak të vlerave të tij në letërsi. Kjo nënkuptonte qartazi, se në qoftë se publikohej kalimi i tij në Islam, shoqëria ruse do të fillonte të kthehej fuqishëm në drejtim të Islamit.
Për këtë shkak, librin e Tolstoit, ku janë tubuar disa hadithe të Muhamedit alejhi selam, organizatat ruse të shërbimit informativ, sikurse KKB-ja, janë orvatur që ta mbajnë në fshehtësi dhe në harresë, si dhe ta pengojnë ribotimin e mëtejshëm të tij.
Ky libër e njohu lexuesin rus me disa hadithe të Muhamedit alejhi selam. Tematika e haditheve të mbledhura përqendrohet në sferën e “varfërisë” dhe të “barazisë”, përmes të cilave orvatet të tregojë brengën e tij dhe të ndërgjegjësojë ata që janë të tradhtuar e të shtypur. Përmes këtij libri Tolstoi theksoi se Islami është vendi i drejtësisë dhe i barazisë së vërtetë, vëllazërisë dhe sakrificës, respektit dhe dashurisë ndaj njeriut dhe ndaj të tjerëve.
Me krijimtarinë e tij letrare ai nxiti reagime të ndryshme në planin estetik, ideor dhe në atë moral, jo vetëm për bashkëkombësit e tij, por për mbarë botën. Tregues është shtrirja e veprave të tij si, “Lufta dhe Paqja”, ”Ana Karenina”, “Ringjallja”, “Polikushka”, ” Haxhi Murati” etj, të cilat janë përkthyer në njëqind e tetë gjuhë të ndryshme të botës dhe janë botuar në më shumë se 220 milionë ekzemplarë. Kjo krijimtari është adoptuar për teatër, televizion dhe radio.
Këndvështrimi i Tolstoit ndaj Islamit mund të shihet edhe nga letrat e publikuara, veçanërisht vlen të përmendet letërkëmbimi me znj. Jelena Vekilova, e cila respekton dëshirën e fëmijëve të saj për t’u konvertuar në Islam.
Gjithashtu, ai pati guximin që në ditarët dhe në letrat e tij të parashtrojë anën kontradiktore të shenjtërisë së Kishës. Në letrën e dërguar Sinodit të shenjtë, të cilin e kishte ekskomunikuar si të pa fe, ai deklaron: “E kam dashur Kishën më shumë se sa paqen time; pastaj më shumë kam dashuruar Krishterimin se sa Kishën, ndërsa tani, më shumë dashuroj të vërtetën se të gjithë botën.”
Epiqendër e shqetësimit të Tolstoit është personaliteti moral i heronjve të tij, me të vërtetën dhe besimin, si kriteret më të larta të jetës. Raportin ndaj të vërtetës dhe fesë, autori e kërkoi dhe e sprovoi së pari në veten, e më pas me personazhet e veprave të tij, në të cilat çdo herë parashtron pyetje për moralin, drejtësinë, të vërtetën dhe fenë, për të mirën dhe të keqen, jetën dhe vdekjen, për çështjet e raporteve ndërmjet individëve dhe bashkësisë. Gjeniu letrar urrente të keqen, dhunën dhe shtypjen e popujve.
Intensiteti i madh i ideve dhe veprave të Tolstoit shpreh pikëpamjet dhe bindjen e plotë të tij për islamizmin, duke braktisur kështu një herë e përgjithmonë Krishterimin, kur ai thotë: “Nuk mund ta pranoj fenë e krishterë, sepse ky besim nuk ishte feja, por një mënyrë e kënaqësisë epikuriste të jetesës. E kam kuptuar se ajo fe nuk i ofron njeriut qetësi; ndoshta mund t’i shërbejë dikujt, i cili është penduar në shtratin e vdekjes.”
Ky zjarr pendese nuk e zhuriti shpirtin e Tolstoit, sepse ai jetoi, krijoi dhe u varros sipas rregullave islame.