Shtëpia Fokus Traditat dhe shtëpitë e pleqve – Të moshuarit shqiptarë vështirë e lëshojnë...

Traditat dhe shtëpitë e pleqve – Të moshuarit shqiptarë vështirë e lëshojnë familjen!

Mëngjesi i hershëm është rutina e Sahit Qerimit, i cili e nisë punën me të gdhirë. Edhe pse në moshën 77 vjeçare, nuk di të ndalet, e as që do të dëgjojë për pensionim, njofton TV21.

Jo larg fshatit ku jeton, ai e kositë kullosën për bagëtinë e tij, ndërsa thekson fjalën e urtë që atij i shkon për shtati: se puna dhe familja e mban njeriun e shëndetshëm. Tradicionalisht, Sahiti jeton në shtëpi me familjen e tij, kurse mbesat e saj e shoqërojnë në arë, duke i sjell ujë dhe për të ngrënë. Ai nuk mund ta paramendojë jetën ndryshe, aq më pak që të jetojë larg familjes, në Shtëpinë e pleqve, për shembull.

Por, një bashkëmoshatar i tij, tani më 5 vjet jeton në Shtëpinë e pleqve, në Kumanovë. 87 vjeçari, Milan Pejqinov është njëri nga 140 të moshuarit e komunitetit maqedonas, të cilët kanë braktisur shtëpitë e tyre dhe jetojnë në këtë institucion. Ai ka qenë i detyruar, sepse djemtë e tij u zhvendosën nga shtëpia.

Nga 147 persona që banojnë në këtë shtëpi të pleqve, vetëm 2 janë shqiptarë. Çka i mban shqiptarët larg këtyre institucioneve; Sipas traditës dhe kanunit ata vazhdojnë të kenë autoritet brenda familjes, pa marrë parasysh kushtet materiale e sociale. Këtë e konfirmon edhe sociologu, Besnik Memeti.

Xhemaledin Nexhipi, drejtor i Shtëpisë së pleqve “Zafir Sajto” në Kumanovë, thekson se përveç traditave, kushtet ekonomike janë faktor i mbajtjes së tyre në shtëpi. Ai thotë se shqiptarët nuk kanë interesim për vendosjen e pleqve në këso institucione, kurse maqedonasit e marrin si proces normal të jetës.

Sipas të dhënave statistikore, në Maqedoni jetojnë 382.980 persona të moshës mbi 60 vjeçare. Prej tyre, aktualisht nëpër Shtëpitë e pleqve janë të akomoduar vetëm 1.642 persona ose thënë ndryshe 0.43%, në nivel vendi.

 

Artikulli paraprakBisedimet për Sirinë, Kerry shprehet optimist
Artikulli vijuesZjarr në ditën e Pashkëve, digjen disa kisha ortodokse në SHBA dhe Australi