Një tragjedi e re ka ndodhur në ujërat e Egjeut në orët e para të së mërkurës, pranë ishullit grek Framakonisi. Forcat e Agjencisë së Ruajtjes së Kufijve Evropiane (Frontex), që janë lajmëruar se një barkë druri plot me emigrantë është mbytur, kanë shkuar menjëherë në zonën detare dhe kanë filluar një operacion shpëtimi së bashku me dy anije të marinës detare greke.
Gjatë kësaj përpjekjeje ata kanë gjetur trupat pa jetë të 11 refugjatëve, prej të cilëve pesë fëmijë të vegjël. 26 të tjerë janë shpëtuar, midis tyre shumë gra e fëmijë, ndërsa 13 persona konsiderohen të humbur dhe vlerësohet se edhe ata mund të jenë mbytur, transmeton Tch.
Ndërkohë, në fshatin Eidomeni, në kufijtë greko-maqedonas, ka filluar prej orëve të para të mëngjesit një operacion i policisë greke për të hapur linjën hekurudhore ndërkombëtare që lidh Greqinë me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, e cila ishte bllokuar nga emigrantët.
Ka tre javë që mijëra emigrantë nga Irani, Pakistani, Maroku, Algjeria dhe Bangladeshi protestojnë se nuk lejohen të shkojnë në vendet e Evropës qendrore dhe u mohohet kërkesa për azil politik, pas vendimi të disa vendeve të BE-së të mos pranojnë emigrantë përveç atyre që vijnë nga zonat e luftës në Siri, Irak dhe Afganistan.
Ndërkohë, përveç banorëve të fshatit Eidomeni që protestojnë edhe ata për gjendjen e krijuar pranë shtëpive të tyre, bllokimi i linjës hekurudhore ka qenë me pasoja ekonomike për shumë biznese greke dhe të huaja që transportonin mallrat e tyre drejt Shkupit.
Policia ka larguar me forcë nga vendngjarja edhe të gjithë gazetarët grekë dhe të huaj me frikën se mund të ndodhin konfrontime gjatë kësaj përpjekjeje duke shoqëruar madje disa fotografë.