Tragjedia që trazoi botën dhe udhëtimi fatal i familjes Kurdi

Një polic mban në duar trupin e pajetë të një fëmije në plazh. Fotoja drithëruese, po bën tashmë xhiron e botës.
Fotoreporterja turke Nilüfer Demir, e cila e bëri foton për llogari të agjencisë së lajmeve “Dogan”, tha se kishte shtangur para pamjes që kishte përballë syve. Ajo do të dëshironte që me këtë foto, t’i bënte njerëzit të mendonin më shumë rreth tragjedisë njerëzore.
Vogëlushi të mërkurën dha shpirt në afërsi të simbolit të turizmit turk, Bodrum.
Sipas njoftimeve të Rojës Bregdetare Turke dhe mediave lokale, vogëlushi fatkeq që sapo kish mbushur tre vjeç, Aylan Kurdi, ishte nga Siria. Bashkë me familjen e tij ai, sikurse mijëra të tjerë – ishte nisur me një barkë nga brigjet turke për të mbërritur në ishullin turistik grek, Kos.
Ishte një përpjekje e dëshpëruar për t’i shpëtuar luftës në Siri dhe për të nisur një jetë të re në paqe tek të afërmit në Kanada.
Mirëpo barka e tejmbushur u përmbys nga dallgët e mëdha, e Roja Bregdetare turke arriti të nxjerrë në breg 12 trupa të pajetë. 15 njerëz u arrit të nxirreshin megjithatë të gjallë.
Aylan vdiq bashkë me vëllanë e tij pesëvjeçar, Galip dhe të ëmën, Rehan.
Vetëm babai, Abdullah, mbijetoi. Abdullah Kurdi, pak orë pas tragjedisë shpjegoi vdekjen e familjes së tij në det.
Për radiostacionin opozitar sirian “Rosana FM” të enjten ai tha në telefon se: “Unë u erdha në ndihmë të dy djemve të mi dhe u përpoqa më shumë se një orë të mbahesha fort me ta në barkë. Djemtë e mi jetonin akoma në atë moment. Djali im i parë vdiq ndër dallgë, e mua m’u desh ta lija atë në ujë, për të shpëtuar tjetrin”.
Me lot e buzët që i dridheshin, babai shtoi se me gjithë përpjekjet e tij, i vdiq edhe djali tjetër.
Kur më pas iu desh të kujdesej për të shoqen, e gjeti atë të vdekur gjithashtu. “Më pas qëndrova tri orë në ujë, derisa erdhën Rojat turke e më shpëtuan”, tha ai.
Përpjekje për t’i shpëtuar tmerrit pa fund
Nuk ishte përpjekja e parë e familjes për t’i shpëtuar tmerrit pa fund, raportoi një transmetues arab.
Abdullah kishte punuar si floktar në Damask para luftës, derisa duke parë se gjërat po përkeqësoheshin përditë nga lufta, kishte marrë vendimin të emigronte në Kanada.
Ai kishte marrë para borxh e u kishte dhënë plot 4.000 euro kontrabandistëve turq për ta çuar në Greqi.
Sipas raporteve të gazetave kanadeze, Abdullah Kurdi, i kishte marrë në telefon të afërmit e tij në Kanada për t’u treguar se gruaja e tij dhe dy djemtë kishin vdekur në det dhe se tashmë ai donte të kthehej sërish në Kobane, për të varrosur familjen.
Në qytetin që vijon të shkatërrohet, militantët islamikë të IS-it dhe peshmergat kurdë, prej muajsh zhvillojnë luftime të ashpra. Qindra banorë të Kobanes kanë vdekur e mijëra syresh është dashur të arratisen.
Rast fatkeq dhe i pashpresë
Deputeti kanadez, Fin Donnelly, pohoi për gazetën vendase “National Post“, se ai do t’ia jepte në duar personalisht dosjen “Kurdi” ministrit përgjegjës. Megjithatë nuk do të kishte sërish shpresë. Qeveria e kishte refuzuar aplikimin, pasi familja Kurdi nuk ishte regjistruar si refugjatë të rregullt në zyrat e UNHCR-së, si pasojë e mungesës së pasaportave të rregullta dhe se qeveria turke nuk kishte lëshuar si pasojë viza për të vijuar udhëtimin.
Një teze e dy vëllezërve që jetonte në Kanada, tha për shtypin kanadez se ajo ishte përpjekur ta mbështeste familjen financiarisht. Miqtë dhe fqinjët kishin ndihmuar me siguri bankare. “Por ne nuk mundëm t’i nxirrnim ata jashtë Turqisë. Për këtë arsye, ata hipën në atë barkë”. Në pesë muajt e parë të vitit 2015, sipas Rojës Bregdetare Turke, është mundur të shpëtohen 42.000 vetë në detin Egje.

Apeli “Ndaloni luftën që të mos vijmë në Europë”.
Ka përkuar ndoshta rastësisht me deklaratën e kryeministrit britanik, David Cameron, por ka pasur një jehonë më të madhe se ajo e këtij të fundit.
Ditën kur fotoja e 2-vjeçarit sirian të mbytur bëri xhiron e botës, një tjetër i mitur, me një kthjelltësi çarmatosëse, ka shpjeguar zgjidhjen për frenimin e eksodit të refugjatëve drejt Europës. “Sirianët nuk ju pëlqejnë? Ndaloni luftën dhe nuk do të vijnë më”, ka thënë 13-vjeçari nga Siria, që është arratisur bashkë me motrën e tij nga qyteti i Darasë dhe ndodhet në Budapest.
“Sirianët kanë nevojë për ndihmë, kanë nevojë për ndihmë tani”, ka thënë ai me një anglishte të pastër për kamerat e Al Jazeera-s.
Djaloshi me sy bojëqielli, pavarësisht moshës, tregon se ka një vizion tragjikisht të kthjellët mbi fatin e atyre, që sikurse ai vetë, janë arratisur nga një vend i shkatërruar nga lufta dhe që tashmë janë të katapultuar në një realitet tjetër, po aq kritik.
“Sirianët nuk u pëlqejnë policëve në Serbi, Hungari, Maqedoni apo Greqi. Por ju lutem, ndihmojini ata. Ndalojeni luftën dhe ne nuk do të vijmë në Europë. Nuk duam të vijmë në Europë”, ka thënë 13-vjeçari.

Artikulli paraprakRrëfimi prekës i emigrantit: Në Siri isha i vdekur
Artikulli vijuesVarroset Ajlan Kurdi