Trajneri Challandes, Kosova mund ta ndryshoj sistemin e lojës

Kombëtarja e Kosovës në futboll nuk do të mund të llogarisë në shumë futbollistë për dy ndeshjet e ardhshme kundër Malit të Zi dhe Bullgarisë.

Të lënduar janë kapitenët, Hekuran Kryeziu, Valon Berisha dhe Herolind Shala, ndërsa në dyshim është edhe Bersant Celina.

Prej se Kosova është pranuar në FIFA dhe UEFA, vazhdimisht trajnerët, Albert Bunjaku, Muharrem Sahiti dhe Bernard Challandes kanë aplikuar sistemin 4-2-3-1.

Megjithatë problemet e shumta e kanë shtyrë trajnerin Challandes të mendoj për herë të parë ndryshimin e këtij sistemi.

Në një intervistë ekskluzive për Indeksonline Challandes ka thënë se e ka problem që ta zëvendësoj Herolind Shalën me ndonjë futbollist tjetër.

“Tani nuk kam ndonjë zgjedhje tjetër, sigurisht që është problem. Deri tani kemi luajtur me Kryeziun dhe Shalën si mbrojtës defanziv, por të dytë janë të lënduar. Kemi problem edhe me Valon Berishën poashtu edhe Bersant Celina është në rehabilitim. Kjo do të thotë që shumë mesfushorë nuk janë në dispozicion. Tani duhet të mendoj për futbollistët tjerë si Voca apo Halimi. Më duhet të shikoj nëse duhet ta ndryshoj sistemin. Këtë do ta mendoj gjatë kampit stërvitor javën e ardhshme, më pas të gjej zgjedhjen më të mirë” deklaroi Challandes për Indeksonline.

Ai shtoi se Kosova nuk është si Franca apo Anglia që të ketë 3 skuadra të ndryshme në dispozicion.

“Kosova nuk ka 30 futbollistë. Të shohim, do të flas me të gjithë futbollistët se në çfarë gjendje janë sepse disa kanë luajtur më shumë disa më pak. Ne jemi Kosova dhe posedojmë disa futbollistë të mirë por nuk jemi Franca apo Anglia që të kemi 3 ekipe të ndryshme. Deri tani nuk kemi pasur shumë probleme me lëndime por tani po. Megjithatë ne duhet të luajmë si ekip, kjo është më e rëndësishmja. Deri tani të gjithë kemi luajtur si një skuadër” shtoi Challandes.

Kosova do të nis përgatitjet për ndeshjet me Malin e Zi dhe Bullgarinë me 2 qershor në Prishtinë. /Indeksonline/

Artikulli paraprakNjë i lënduar nga aksidenti në Pejë
Artikulli vijues“Emigrimi i milionerëve”, këto janë vendet e parajsave fiskale ku ata rehatohen