Tre dibranët e dënuar në SHBA për terrorizëm janë të pafajshëm?

Një dokumentar dhe një reportazh, i botuar së fundi nga “The Intercept”, siç transmeton Illyria, hedh dyshime mbi hetimin që solli dënimin për terrorizëm të tre vëllezërve shqiptaro-amerikanë, Duka në SHBA.
 
Së bashku me dy shokë të origjinës turke dhe arabe, ata u akuzuan dhe u dënuam me burgim të përjetshëm se planifikuan dhe ishin në prag të sulmit kundër bazës ushtarake në Fort Dix, në SHBA.
 
Tre vëllezërit Dritan, Shain dhe Eljvir Duka, fëmijë të një familje nga Dibra, ishin besimtarë myslimanë të devotshëm por edhe ishin radikalizuar dhe bisedonin me urrejtje për Amerikën dhe me neveri për jetën pa fe në Shqipëri e Kosovë.
 
Ajo që nuk dinin ata ishte se një shkodran me të cilin ishin miqësuar dhe me të cilin ndanin pikëpamjet e tyre ishte në fakt i future nga FBI për të regjistruar të gjitha bisedat e tyre.
 
Shkrimi në “The Intercept” dhe një dokumentar për këtë çështje rindërton argumentin e avokatëve se njeriu i FBI-t kishte interes që t’i nxirrte fajtorë që të shpëtonte nga deportimi pas një shkelje ligji që kishte bërë. Avokatët në atë kohë argumentuan se ai ishte më radikal se klientët e tyre dhe se i kishte radikalizuar ata, në vend që thjesht t’i regjistronte bisedat.
 
Një argument i ngjashëm u bë edhe për shokun e tyre arab me të cilin ishte lidhur një tjetër i dërguar nga FBI. Grupi pra që po kristalizohej për të sulmuar një bazë ushatarake amerikane kishte të paktën dy vetë të futur nga FBI.
 
Po a ishin thjesht biseda të nxehta apo kishin ndërmend të sulmonin vërtet bazën të rinjtë që tashmë janë burgosur për jetë?
 
I depërtuari i dytë nga FBI, i intervistuar për reportazhin mendon se tre vëllezërit shqiptaro-amerikanë e pësuan kot.
 
Ata në fakt u arrestuan jo për bisedat e bëra, por kur pranuan të blejnë armë në mënyrë të paligjshme nga një tjetër agjent nga FBI. Edhe sikur të most ë dënoheshin për terrorizëm, ishte e padiskutueshme që ata do të burgoseshin për blerje armësh pa leje.
 
Nuk ishte një çështje e lehtë. “The Intercept” akuzon edhe guvernatorin Chris Christie në Neë Jersey që mund të kandidojë për President në 2016 se si Prokuror i Përgjithshëm në atë kohë kishte interes që të rinjtë të dilnin fajtorë që të fillonte karrierën e tij politike.
 
Tre vëllezërit Duka dhe familja e tyre, ndonëse shqiptarë, nuk frekuentonin më xhaminë shqiptare. Banues në Cherry Hill ata kishin zgjedhur një xhami tjetër, kryesisht me emigrant nga Azia.
 
Në bisedat e tyre kishte urrejtje ndaj Amerikës, pakënaqësi për UÇK-në që nuk kishte pranuar muxhahedinë dhe një përkushtim të madh fetar. Ata komunikonin kryesisht shqip, ndonëse ishin rritur në SHBA dhe kishin një biznes të suksesshëm për ndërtimin e çatiave.
 
Për familjen ata mbeten të dënuar kot dhe të pafajshëm. Për komunitetin shqiptar ishte një moment jo i lehtë se për herë të parë emri i shqiptarëve po lidhej me një rast terrorizmi. Pati deklarata dënuese dhe sqaruese.
 
Dyshimet për rastin ekzistonin, po nga ana tjetër vendosja në peshore e argumenteve në fund i dha të drejtë prokurorisë dhe FBI.
 
Bisedat e regjistruara, planet për sulme, sigurimi i planit të bazës ushtarake nga pjesëtari turk i grupit, babai i të cilit kishte picerinë ku porosisnin ushtarët, vizitat me automjete për vëzhgim dhe fotografim të bazës, loja e luftës, në mos stërvitja në mallet Pokonos dhe në fund blerja e armëve e bindën jurinë dhe gjykatësin se bëhej fjalë vërtet për një plan për një sulm terrorist.
 
Pas 11 Shtatorit vështirë se në SHBA, një kombinim kaq i madh evidencash do të injorohej në gjyq. Ndoshta të rinjë shqiptarë po flisnin vërtetë kot për t’iu dukur trima shokëve apo për të shfryrë nga inati i lajmeve me vrasje nga Iraku, po nëse do të liroheshin dhe pastaj do të kryenin vërtët akte terroriste përgjegjësia morale do të binte mbi ata që i kishin liruar.
 
Pas 11 Shtatorit askush nuk e donte në ndërgjegje atë përgjegjësi.
Artikulli paraprakTre dibranët e dënuar në SHBA për terrorizëm janë të pafajshëm?
Artikulli vijuesHaxhi Vehbi Dibra – DOKUMENTAR (HD)