Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë të shtunën me anë të një deklarate, deklaroi se avioni luftarak Sokhoi -34 i ushtrisë së Rusisë të premten me 29 janar në ora 11:46 sipas kohës lokale, pavarësisht paralajmërimeve të bëra, ka shkelur hapësirën ajrore të Turqisë.
Sipas kësaj deklarate, Ankaraja ka thirrur në prezencë ambasadorin e Rusisë dhe i ka dorëzuar atij një notë proteste rreth kësaj çështjeje.
Ankaraja zyrtare pretendon se ky veprim i Rusisë është mesazh i qartë rreth qasjes së Moskës për shtimin e tensioneve mes dy vendeve.
Në këtë deklaratë thuhet: “Ne me mesazh të qartë kërkojmë nga Federata e Rusisë që të mos shkelë hapësirën ajrore të Turqisë e cila njëkohësisht konsiderohet edhe hapësirë ajrore e NATO-s… Ne përsëri theksojmë se pasojat e padëshiruara të sjelljeve të tilla të papërgjegjshme plotësisht bien mbi Federatën e Rusisë”.
Nga ana tjetër, Rusia ka hedhur poshtë pretendimet e Turqisë për shkeljen e hapësirës ajrore të saj dhe Ministria e Mbrojtjes së Rusisë të shtunën në mbrëmje pasi refuzoi pretendimin e Ankarasë se një avion luftarak rus ka shkelur hapësirën ajrore të Turqisë, këtë pretendim e ka quajtur propagandë politike të pavërtetë.