Turqia, “atdheu” i dytë i 5 milionë shqiptarëve

BURSA – Turqia mund të quhet “atdheu” i dytë i shqiptarëve, pasi jetojnë mbi 5 milionë banorë me origjinë shqiptare, kryesisht nga Kosova e Maqedonia. Një pjesë e mirë e tyre, edhe pse kanë mbi 100 vjet që jetojnë në Turqi, kanë mundur që të ruajnë gjuhën, traditat dhe kulturën e vendit të tyre.
Edhe në qytetin e Bursës ku ne kemi ardhur për vizitë, ka një përqendrim të madh të shqiptarëve. Pothuajse një në tre banorë është “arnaut” (turqisht do të thotë shqiptar), pasi, nga tre milionë banorë që jetojnë në këtë qytet, rreth 800 mijë janë me origjinë shqiptare. Përfshi këtu edhe kryebashkiakun e Bursës, Rexhep Altepe, i cili e drejton këtë qytet prej gati një dekade, por fatkeqësisht, numri i atyre që kanë njohuri të gjuhës shqipe ështe 300 mijë.
BURSA
Brusa është e vendosur në veriperëndim të Anadollit. Qyteti i tre milionë banorëve, për shkak se është një ndër metropolet më të industrializuara në Turqi, një vëmendje të madhe i ka kushtuar gjelbërimit, ndaj ndryshe quhet edhe qyteti i gjelbër.
Parku kryesor i saj është 16 kilometra i gjatë dhe bashkisë, investimi për të i ka kushtuar plot 100 milionë dollarë. Veçanti tjetër për Bursën është industria motorike: ky është qyteti i parë në Turqi dhe i gjashti në botë që ka arritur të ndërtojë plotësisht vetë tramin e qytetit. Kryebashkiaku me origjinë shqiptare, Rexhep Altepe, ka dhjetë vite me radhë që është kryetar i këtij metropoli, që është qyteti i katërt në Turqi për nga popullsia, kurse i dyti pas Stambollit sa i përket eksportit vjetor që realizon jashtë vendit. Karrierën e tij politike e ka filluar si kryetar i komunës Osman Gazi, komuna më e madhe në qytetin e Bursës, ku jeton komuniteti më i madh shqiptar në këtë qytet.
Në vitin 2004 kandidoi për kryetar të qytetit të Bursës, duke fituar këtë garë si kandidat i AK, partisë së kryeministrit turk, Rexhep Tajip Erdogan. Ndryshimet që janë bërë pesë vitet e fundit në Bursa janë shumë të dukshme, sidomos për sa u përket investimeve në infrastrukturë dhe shërbime publike. Ajo që të bie në sy në këtë qytet është se shumë prona janë të bashkisë; kjo e fundit i ka dhënë me koncesion për përdorim nga privatët dhe merr përqindjen e vet të fitimit.
Në takimin që kryetari Altepe pati me përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës dhe grupin e gazetarëve, u shpreh se është i gatshëm të mbështesë Tiranën në zhvillimin e saj. Sipas tij, paqja dhe stabiliteti në Ballkan ndihmon edhe Turqinë. Ndërsa për sa i përket rrezikut të zhdukjes së gjuhës shqipe, ai u shpreh se: “Kemi bërë një kërkesë në Ministrinë e Arsimit që gjuha shqipe të jetë si gjuhë alternative në shkolla.
Kërkesa jonë është në shqyrtim”. Ndër të tjera, Altepe u shpreh se: “Turqia është vend mik me Shqipërinë, ju jeni urë lidhëse dhe keni një rëndësi të veçantë. 70-80% e popullsisë këtu janë të ardhur. 800 mijë janë me origjinë shqiptare, si jam dhe unë: babai im është nga Shkupi, nëna nga Kosova”. /balkanweb/

Artikulli paraprakHistoriani zviceran: Shqiptarët kanë drejtuar botën që nga Mesjeta, Evropa i la qëllimisht mënjanë
Artikulli vijuesProdhimi i reformatorëve (muslihin)