Turqia, fuqia e gjashtë diplomatike në botë

Turqia nuk e ka luksin për të qenë një vëzhgues i qetë i ndryshimeve në skenën politike ndërkombëtare, ka thënë shefi i diplomacisë turke Mevlut Çavusollu në fjalimin që mbajti të hënën në hapje të konferencës së ambasadorëve.

Në kryeqytetin e Turqisë, Ankara të hënën filloi punimet Konferenca e 7-të e Ambasadorëve të Republikës së Turqisë.
Në fjalimin e hapjes shefi i diplomacisë turke Mevlut Çavusollu theksoi se qëllimi i kësaj konference është që të shqyrtohet me kujdes imazhi i diplomacisë turke dhe planet e saj si dhe objektivat në të ardhmen.
Duke vënë në dukje rolin e rëndësishëm të diplomacisë në botë, Çavusollu ka thënë se bota është duke kaluar nëpër një periudhë që do të përcaktojë fatin e shekullit të tanishëm 21.

“Duam që në këtë periudhë kritike ta shqyrtojmë diplomacinë në aspektin se nga kemi ardhur dhe në çfarë drejtimi po lëvizim”, tha Çavusollu, duke shtuar se politika e jashtme turke bazohet në parimin “paqe në vend, paqe në botë”.

Duke theksuar se Turqia ndodhet në një mjedis të zhytur në krizë të thellë, Çavusollu tha se autoritetet turke janë të angazhuara për ndërtimin e paqes, stabilitetit dhe zhvillimit në gjithë rajonin. Duke cilësuar se ndërtimi i një paqeje të qëndrueshme është i mundur vetëm me intensifikimin e dialogut dhe bashkëpunimit, Çavusollu tha se Turqia nuk heq dorë as nga procesi i integrimit në Bashkimin Evropian.
“Vazhdimisht jemi duke punuar për integrimin në institucionet evropiane. Shohim se disa nga miqtë tanë evropianë kanë qëndrim të gabuar dhe paragjykim ndaj anëtarësimit tonë dhe se kjo çoi në disa situata të padrejta”, tha ministri i jashtëm turk Çavusollu, duke shtuar se Turqia nuk e ka luksin për të qenë një vëzhgues i qetë i ndryshimeve në skenën politike ndërkombëtare.

Duke iu referuar luftës në Siri dhe kërcënimit global nga ISIS, Çavusollu u shpreh se Turqia deri më tani ka harxhuar 5 miliardë dollarë, ndërsa pjesa tjetër e komunitetit ndërkombëtar ka kontribuar me 250 milionë dollarë një shumë simbolike, që, siç shtoi ai, kjo tregon pavendosmërinë e këtij komuniteti për zgjidhjen e problemeve në Sirinë e përfshirë nga lufta. “Në zonën kufitare siriane duhet shpallur një zonë e sigurt, të ndalohen fluturimet mbi Sirinë për të mbrojtur refugjatët dhe për të parandaluar një valë të re refugjatësh nga Siria në Turqi. Ne presim që regjimi sirian, i cili tashmë e ka humbur çdo legjitimitet, të zëvendësohet me një qeveri kalimtare që do të përfaqësojë të gjitha kategoritë e popullit sirian”, tha Çavusollu.
Çavusollu po ashtu theksoi se politika e gabuar ka treguar fytyrën e vet të errët në Irakun fqinj, por që Qeveria e re irakiane ka hapur faqen e re si në marrëdhëniet me Turqinë, ashtu edhe në zgjidhjen e problemeve të grumbulluara në këtë vend.

Duke theksuar se zgjedhja e çështjes izraelito-palestineze është e një rëndësie kyçe për ndërtimin e stabilitetit në Lindjen e Mesme, Çavusollu tha se Turqia do të vazhdojë të mbrojë me zë të lartë palestinezët e rrezikuar. Duke vënë në dukje zhvillimin e diplomacisë turke në 12 vitet e kaluara, Çavusollu ka thënë se gjatë kësaj periudhe janë hapur 67 misione të reja diplomatike në mbarë botën. “Sot kemi 134 ambasada, 81 konsullata, 12 misione të përhershme dhe një Zyrë tregtare. Me gjithsej 228 përfaqësitë e huaja jemi fuqia e gjashtë diplomatike në botë”, përfundoi Çavusollu.
Turqia, fuqia e gjashtë diplomatike në botë
Të udhëhequr nga ministri Çavusollu, ambasadorët turq të hënën në mëngjes para fillimit të Konferencës, vizituan mauzoleun e Kemal Ataturkut “Anitkabir” dhe varrezat “Cebeci Asri”, ku prehen diplomatët turq që kanë rënë në krye të detyrës./trt

Artikulli paraprakHistoria e kryetarit të Manchester, nga barktharë në Pakistan në postin aktual
Artikulli vijuesMosfiskalizimi i naftëtarëve po ndikon në çmim