Koha e maskarenjve

Në mungesë të besimit të vërtetë, në mungesë të edukimit të mirëfilltë në kodin moral islam, në mungesë të një karakteri të fuqishëm dhe në prani të ofertave, joshjeve dhe sprovave të shumta njeriu edhe nuk arrin të bëhet njeri por mbetet maskara.
Ky lloj i njerëzve është shumë i rrezikshëm për për shoqëritë dhe popujt.
Kurani Fisnik në shumë ajete dhe shumë hadithe të sakta të Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, na e sqarojnë shumë mirë rëndësinë e ecjes në rrugën e drejtë dhe mos lajthitjen nga kjo rrugë, as djathtas e as majtas, , mos ndryshimin e shpeshtë të ngjyrave dhe qëndresa në këtë rrugë, në vlera dhe parime, pa marrë para sysh rrethanat dhe situatën.
Allahu, Fuqiplotë thotë:
( وَأَنَّ هَذَا صِرَاطِي مُسْتَقِيمًا فَاتَّبِعُوهُ وَلَا تَتَّبِعُوا السُّبُلَ فَتَفَرَّقَ بِكُمْ عَنْ سَبِيلِهِ ذَلِكُمْ وَصَّاكُمْ بِهِ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ ).
“Kjo është rruga Ime e drejtë; prandaj ndiqeni e mos shkoni rrugëve të tjera që t’ju shmangin nga rruga e Tij. Kjo është ajo që ju porosit Ai për t’u ruajtur nga të këqijat”. (El-En’am: 153).
Koha e sprovave kërkon të qëndrojmë besnik parimit, të jemi stabil në vlerat, të kemi besim të thellë, të pajisemi me bindje dhe të vazhdojmë në metodë të qartë, sepse vetëm kështu mbrohemi nga ngjyrosjet e llojllojshme, ndryshimi dhe mashtrimi.
Kur i erdhi vdekja Hudhejfe ibën Jemanit, radijallahu anhu, i erdhi në vizitë Ebu Mesud el-Ensariu, radijallahu anhu, dhe i tha: o Ebu Abdullah! Na jep ndonjë porosi. Tha: a nuk të ka ardhë akoma bindja?! Dije se devijimi i vërtetë është të pranosh atë që dje ke mohuar, të kundërshtosh atë që deri sot ke pranuar. Ruaju nga ngjyrosja në fe, sepse feja e Allahut është një”. (Sherhu Usulu Itikadi Ehli Suneti vel-Xhemaati, el-Lalekai, nr. 107).
Interesxhi është njeriu që vepron për të realizuar qëllimet dhe interesat e veta edhe nëse është ky veprim në dëm të tjerëve, duke përdorur të gjitha metodat e poshtra, të ulëta dhe të fëlliqura për të arritur te to. Përdorë metodën makijaveliste “qëllimi i arsyeton mjetet”.
Interesxhi është njeriu i cili të tjerët i shikon nga lartë, veten e vendos në ballë, nuk ka mëdyshje, turp a ndjenja. Ky njeri nuk kthen mbrapa le të ndodhë çka të ndodhë dhe nuk e ndal asnjë qortim.
Ai është edhe kameleon, ndryshon nga koha në kohë dhe nga vendi në vend, sipas interesit momental e përcakton edhe agjendën e veprimit.
I këtillë mund të jetë një kryetar, në ministër, një përgjegjës, një shtet, një individ, një organizatë, një klan. Ai mund të jetë edhe intelektual, shkrimtar, poet, artist, sportist, gazetar, etj. Domethënë kjo dukuri mund ti kaplon të gjitha shtresat e shoqërisë.
Ky njeri është i gatshëm të ç’vishet nga parimet dhe vlerat dhe të merr kallëpe të reja edhe nëse vijnë ndesh me konceptet e tija, merr korniza të reja dhe me këtë i lejon vetes të përdorë metoda dyfytyrësie dhe vardisjes përballë njerëzve që kanë vendimin në dorën e tyre, duke e lavdëruar sa se meriton dhe duke i nënçmuar tjerët.
Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:
“Mendjemadhësi është refuzimi i të vërtetës dhe nënçmimi i njerëzve”. (Muslimi).
Një njeri i këtillë sot është ai vepron për realizimin e qëllimeve të veta në çdo formë, qoftë e ligjshme ose jo. I materializon lidhjet me tjerët dhe ndikimin e tyre edhe nëse ky veprim është në kundërshtim me parimet e tija, kodin moral, thellësinë shoqërore, me fenë dhe vlerat e fesë.
Përdorë politikën e “unit” faraonik dhe “e di une” të Karunit duke ia atribuar çdo të mirë vetëm vetes dhe duke nënçmuar të gjithë tjerët. Këto dy politika dhe politika e përzierjes së gjërave i përdorin maksimalisht për të arritur në maje edhe në qoftëse është në llogari të plagëve dhe dhimbjeve të tjerëve.
Politika e tutorisë, margjinalizimit të tjerëve, nënçmimi i kontributeve të tjerëve, shikimi i gjërave nga këndvështrimi i ngushtë klanor, afrimi i të largëtit dhe largimi i të afërmit me kritere jo profesionale janë veti e këtyre njerëzve.
Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Kur i jepet pushteti atij që nuk e meriton prite Kiametin”. (Buhariu)
Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:
“Do të vini disa vite mashtruese. Në këto vite u besohet gënjeshtarëve dhe përgënjeshtrohen njerëzit besnik. U besohet amaneti tradhtarëve dhe llogariten si tradhtarë njerëzit besnik dhe flet ruvejbida. I thanë: kush është ky njeri? Tha: njeriu mendjelehtë që flet për çështje të përgjithshme”. (Sahihul-Xhami, nr, 5963).
Njeriu mendjelehtë, i pa vlerë, njeriu që nuk ka asnjë veprim fisnik.
Njeriu interesxhi nuk ka parim e as metodë të qartë, ai ngjyroset sipas rastit dhe momentit, sikur kameleoni, duke përdorur lojë me fjalë dhe deklarata kontradiktore dhe qëndrime konfuze. Shkon kah të fryn era dhe shkon me atë që dominon. Në mëdyshje dhe dilema, në asgjë nuk zë vend, përpos se në gjërat që me to përputhet epshi dhe shikimi i tij i shkurtë.
Ky njeri dëshiron të duket çdo kund, të hidhet dritë mbi te vazhdimisht, e ka pasion duartrokitjen, pa kritikë dhe debat. I lejon vetes të këshillojë krejt botën, tallet me ta duke u thënë se është prej tyre dhe me ta, se të gjithë janë vëllezër dhe bij të kauzës, porse nga askush nuk pranon këshillën apo udhëzimin. I jep të drejtë vetes ti klasifikon njerëzit por kategorikisht refuzon mendimin e tjerëve për te!!!
Ky lloj njeriu i nënçmon të tjerët në fenë, diturinë, sjelljen dhe dukjen e tyre, kurse në të njëjtën kohë nuk pranon asnjë fjalë kundër tij, sepse sipas tij është i madhërishëm e i shenjtë dhe disa pak ithtar që ka, të cilët në çdo gjë i duartrokasin dhe brohorisin!!!
Ky lloj njeriu nuk ka guxim të mjaftueshëm për tu ballafaquar me të vërtetat e qarta dhe argumentet bindëse, as që ka fuqi për të ndërmarrë vendime të prera dhe përfundimtare, që të mos i humbë disa përkrahës, të cilët i miklon dhe llaston në llogari të vërtetës. Këta i ndryshojnë qëndrimet e tyre çdo herë që detyrohen, madje janë të gatshëm të bashkëpunojnë edhe me djajtë xhin e njerëz vetëm për t’i kënaqur të gjithë!!!
Ky lloj i njerëzve frikohet nga ata që janë mbi ta, u frikohen dhe përgatiten kundër tyre, duke përcjellë veprimet e tyre, duke u orvatur për të shëmtuar autoritetin e tyre dhe duke u orvatur për ta shkatërruar atë. I përdorin të gjitha metodat dhe mjetet edhe pse bijnë ndesh me parimet më të thjeshta morale vetëm që të arrijnë në qëllimet e tyre.
Ky lloj i njerëzve niset nga mungesa e vetëbesimit dhe kompleksi i inferioritetit duke u orvatur të konfirmojë se vetëm ai është i suksesshëm, se e vërteta është vetëm me te, andaj ai vazhdimisht flet për kundërshtarët dhe gabimet e tyre, duke parë qartë mendimin e keq për ta dhe sqarimi jo i drejtë i veprimeve të tyre, pasi që parimet e tija janë elastike dhe amorfe, ndryshojnë sipas vendit dhe nevojës.
Nuk është turp njeriu të përmirëson gabimin që ka bërë, të kërkojë falje dhe të korrigjojë rrugën në të cilën është nisë, madje kjo është obligim dhe detyrë.
Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:
“Secili njeri gabon por më i miri gabimtar është ai që pendohet”. (Sahihul-Xhami, nr. 4515).
Turp është insistimi në gabim dhe mos pranimi i fajit. Vazhdimi në rrugë të gabuar, kuptim jo të saktë, bes
im të prishur dhe metodë të shtrembër është prej gabimeve shumë të mëdha, sidomos pasi që njeriu ta njeh të vërtetën dhe ta njeh rrugën e shpëtimit.
Sa e sa njerëz ndryshojnë mendimet dhe botëkuptimet që të përshtaten me realitetet e reja, e shtytësi kryesor në tërë këtë nuk është studimi dhe analiza por interesi personal dhe dëshira për shfrytëzim maksimal të rrethanave të reja që janë duke u krijuar. Ndryshimi i idealeve dhe ideologjive në pragmatizëm, shitja e nderit, veshja e vlerave të huaja, u shndërruan në cunami i cili i përmbyti zemrat dhe mendjet, para se të mbulojë vendet dhe trupat e njerëzve. Kjo gjendje i ngjanë asaj që ka thënë Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem:
(لا تقوم الساعة حتى يكون أسعد الناس بالدنيا لكع ابن لكع )
“Nuk do të ndodhë Kiameti deri sa njeriu më i lumtur të jetë lukea ibën lukea (askushi)”. (Sahihul-Xhami, nr. 7431).
Njeri i pa vlerë, i marrë, i mashtruar, i lavdërohet njerëzve me rrobat e veshura dhe pasurinë që harxhon, kështu bëhet njeriu më i lumtur, njeriu më i përmendur, edhe pse në realitet është i pavlerë dhe nuk peshon aspak te Allahu, Fquplotë.
Cilat janë shkaqet që ndihmojnë përhapjen e këtij llojit të njerëzve:
1- Mungesa e diturisë së shëndoshë fetare dhe shkencore.
2- Sprovat e shumta, dalja në shesh të njerëzve që shkaktojnë tollovi dhe kaos dhe margjinalizimi i njerëzve të mirë dhe të devotshëm.
3- Dobësimi i besimit dhe mungesa e devotshmërisë, mungesa e sinqeritetit në fjalë dhe vepër.
4- Dominimi i jetës materiale dhe angazhimi i mendjes së shumicës së njerëzve me këto gjëra, përveç një pakice që ka mëshiruar Allahu.
5- Mungesa e vetëdijes dhe kulturës së shëndoshë dhe largimi nga maturia dhe mesataria e fesë Islame.
6- Mungesa e themeleve të fuqishme të personalitetit musliman.
7- Dyfytyrësia e madhe shoqërore dhe sjellja kondradiktore mes fjalëve dhe veprave.
8- Dështimi i brendshëm shpirtëror dhe mungesa e vetëbesimit.
9- Largimi nga diagnostifikimi i sëmundjeve dhe përzgjedhjen e ilaçit të dobishëm dhe shërues.
10- Koncesionet e shumta në llogari të fesë dhe vlerave.
11- Mungesa e një dënimi dhe veprimi të vendosur përball këtyre veprimeve kaotike dhe të dëmshme.
 
Bekir Halimi
 
Artikulli paraprakPër ata që i duan nënat e tyre
Artikulli vijuesMbreti i Saudisë kërkon sistem arsimor që i përgjigjet zhvillimeve më të larta