Turqia i dhuron ushtrisë shqiptare 10 autobusë

0
305

Autoritetet shtetërore turke u kanë dhuruar 10 autobusë Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit financiar-ushtarak midis dy vendeve.

Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes merrnin pjesë Ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë Mimi Kodheli, Ambasadori i Turqisë në Shqipëri Hidayet Bayraktar, ushtarakë dhe të ftuar të tjerë.
Fillimisht e mori fjalën ambasadori Bayraktar, i cili theksoi se pas kalimit të Shqipërisë në një sistem demokratik, marrëdhëniet ushtarake midis dy vendeve kanë qenë gjithmonë në rritje dhe sot ato janë në nivele të shkëlqyera.
“Autoritetet ushtarake të dy vendeve tona kanë një bashkëpunim të ngushtë jo vetëm në planin dypalësh, por gjithashtu edhe në kuadër të NATO-s. Ne e konsiderojmë Shqipërinë si një ndër vendet më kryesore në Ballkan dhe me mjaft influencë në stabilitetin e rajonit. Për këtë arsye modernizimi i Forcave të Armatosura të Shqipërisë është një nga prioritete kryesore të marrëdhënieve midis dy vendeve tona”- u shpreh Bayraktar.
Sipas ambasadorit në një periudhë njëmujore synohet dorëzimi edhe i pajisjeve të tjera dhe se bashkëpunimi midis dy vendeve do të vazhdojë të rritet në të gjitha fushat.
Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë Mimi Kodheli në fjalën e saj ka shprehur falënderimet për autoritetet turke për mbështetjen e vazhdueshme për Forcat e Armatosura të Shqipërisë. Ajo ka theksuar se këto automjete që kanë mbërritur sot janë pjesa e parë e një pakete të konsiderueshme mjetesh transporti të cilat do të vihen në dispozicion të Forcave të Armatosura përgjatë vitit 2015./trt/kohaislame.com