Ministri i Shëndetësisë së Shqipërisë, Ilir Beqaj, priti të enjten në një takim zyrtar homologun e tij turk, prof. dr. Recep Akdag dhe delegacionin e nivelit të lartë që e shoqëron, në kuadër të vizitës disaditore të punës në Shqipëri.
Ekspertë të shëndetësisë turke do të bëjnë një vlerësim, por edhe do të japin këshillat e tyre për sistemin shëndetësor shqiptar. Kjo ka qenë kërkesa e bërë nga kreu i shëndetësisë shqiptare, Beqaj, ndaj homologut të tij turk prof. Akdag, në takimin e parë në kuadër të vizitës së tij në Shqipëri.
Pas takimit mes delegacioneve, Beqaj dhe Akdag kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media, ku Beqaj foli edhe për eksperiencat edhe trajnimet që ekipet mjekësore shqiptare do të mund të realizojnë në spitalet turke.
“Kërkuam të forcojmë dhe të zgjerojmë bashkëpunimin në fushën e barnave, të farmaceutikës, mbështetje për reformën që po bëjmë në Urgjencën Mjekësore, si dhe në përmirësimin e kapaciteteve tona profesionale, njerëzore në shëndetësi, qoftë me specializime disamujore apo vjetore të mjekëve tanë në Turqi, qoftë me prezencën disamujore të specialistëve mjekë turq në shërbimet tona spitalore”, pohoi Beqaj, ndërsa nuk harroi të falënderojë ekzekutivin dhe shtetin turk për ndihmën, që jep çdo vit për kurimin dhe trajtimin e 100 pacientëve shqiptarë.
“Dy vendet tona kanë një marrëveshje prej disa vitesh bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë. Prej kësaj marrëveshjeje, çdo vit janë rreth 100 qytetarë shqiptarë si pacientë, që përfitojnë trajtim shëndetësor falas në spitalet e Turqisë. Faleminderit qeverisë turke dhe shtetit turk! Unë besoj se në gjithë këto vite shumë bashkëqytetarë tanë kanë përfituar edhe në mënyrë personale direkt nga sistemi shëndetësor turk, nga shërbimet e kualifikuara që ofrohen atje,” nënvizoi ministri Beqaj.
Ministri i Shëndetësisë së Turqisë foli për eksperiencën e vendit të tij në realizimin e reformës në shëndetësi, ku në qendër të kësaj reforme ka qenë njeriu, ndërkohë që duhet mbështetja e qeverisë, mbështetja financiare, por edhe ajo e qytetarëve.
“Ne krijuam një sistem shëndetësor të fokusuar tek njeriu, tek qytetari. Unë jam i bindur që edhe Shqipëria do ta realizojë një sistem të tillë shëndetësor të fokusuar te njeriu, te qytetari”, u shpreh prof. dr. Recep Akdag.
Ai siguroi se “qeveria turke është e gatshme që një ekip turk të qëndrojë për një kohë akoma më të gjatë Shqipëri dhe të ofrojë përvojën e tij”.
Nga ana tjetër, kreu i delegacionit turk nënvizoi se në reformën e ndërmarrë në shëndetësi duhet të ketë mbështetje nga qeveria, mbështetje e cila deri më tani është ofruar maksimalisht.
Delegacioni turk do të vazhdojë të qëndrojë përgjatë javës në Shqipëri për të parë nga afër funksionimin e sistemit shëndetësor.