Ambasadorja e Turqisë në Kosovë Kivilcim Kiliç, e shoqëruar nga gjatë vizitës së realizuar në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike, ka premtuar mbështetje të vazhdueshme të shtetit turk për shëndetësinë kosovare, në veçanti për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ajo është njohur nga afër me punën që bëhet në këtë klinikë, ku nga menaxhmenti i SHSKUK, Klinikës Obstetrike Gjinekologjike dhe stafi shëndetësorë, është njoftuar në lidhje me bashkëpunimin e realizuar në javën e kaluar me mjekët nga Turqia.
Kiliç tha se Kosova dhe Turqia kanë bashkëpunim në shumë degë dhe se po angazhohet që në një të ardhme të afërt të ndihmohet në avancimin profesional të stafit dhe në krijimin e kushteve më të mira të punës për mjekët dhe pacientët.
Në anën tjetër, drejtoresha e Klinikës obstetrike Gjinekologjike, Dr. Myrvete Paçarada, ka njoftuar Ambasadoren se gjatë bashkëpunimit me mjekët nga Turqia janë realizuar 28 operacione të ndërlikuara dhe ndihmesa e tyre ka qenë e mirëseardhur, transmeton Klan Kosova.
Ajo kërkoi që ky bashkëpunim me ekspertët nga Turqia të jetë i vazhdueshëm dhe të shikohet mundësia që së paku 1 herë në muaj të sjellin ekspertët që do të realizonin operacionet e ndërlikuara.