U falën afro 500 milionë euro

Borxhet totale që qytetarët e Kosovës i kanë borxh shtetit apo kompanive në pronësi të shtetit është afro 800 milionë euro. Nuk dihet shuma e saktë e faljes së borxheve për shkak se duhet të bëhet prerja e tij për secilin konsumator, por në bazë të kalkulimeve të përgjithshme, pra krijimit të borxhit në periudhën 15 vjeçare dhe heqjes së borxhit për 9 vjet del se janë falur afro 500 milionë euro.

Kjo falje i ka lehtësuar qytetarë por në mas edhe më të madhe biznese, por ka vënë në vështirësi, sidomos kompanitë publike.

Madje edhe ekspertët e ekonomisë dhënë alarmin.

Drejtori i Institutit për Studime të Avancuara GAP, Agron Demi, thotë se ky është një vendim i mirë, nëse është në pyetje vetëm falja e borxheve të qytetarëve me gjendje të rëndë ekonomike. “Por, falja e borxheve edhe për bizneset si dhe për ata të cilët nuk i kanë paguar taksat e tatimet, perkundër gjendjes së mirë ekonomike, është vendim i gabuar”, thekson Demi.

Sipas tij nëse ndodhë kjo e fundit do të irritojë tej mase një pjesë të atyre që kanë paguar me rregull obligimet e tyre ndaj shtetit.

Edhe drejtori i Institutit për Hulumtime Zhvillimore, “Riinvest”, Lumir Abdixhiku, vlerëson se parimisht, falja e borxheve të vjetra do të lehtësojë tensionin social në vend. Të njëjtën kohë ai e kundërshton përgjithësimin. “Do të ishte mirë që kjo falje të mos përfshinte individë apo biznese që nuk janë kategori sociale apo që nuk jetojnë në prag të varfërisë”, thotë Abdixhiku.

Ai e vlerëson si të padrejtë ndaj qytetarëve të rregullt nëse bizneset e individëve milionësh përfitojnë nga falje të tilla. “Në përgjithësi, për secilin individ në vështirësi sociale, kjo falje është më se e mirëseardhur”.

Ndërsa, Safet Gërxhaliu, Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës mendon njëjtë si qeveria. “Ka qenë kërkesë e jona edhe e ATK-së që të mbyllen borxhet e vjetra. Është një hap i mbarë po duhet të shikohet që fillimisht nga kjo falje të përfitojnë rastet sociale. Edhe falja e borxheve ndaj bizneseve duhet të jetë në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit”, tha Gërxhaliu.

Falja u bë e ditur pas mbledhjes së Qeverisë të mbajtur të enjten.

Ministri i Financave i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, njoftoi se do të krijohet një komision, i cili do të shqyrtoj mundësinë për faljen e të gjitha borxheve që bizneset dhe qytetarët e Kosovës kanë ndaj institucioneve të Kosovës dhe ndaj ndërmarrjeve publike, deri më 31 dhjetor 2008.

Hoti theksoi se janë bërë vlerësimet paraprake për borxhet që bizneset dhe qytetarët kanë ndaj ATK-së, doganave, tatimit në pronë, dhe borxhet ndaj ndërmarrjeve publike në energji, ujë, mbeturina dhe ngrohje dhe se në afat prej një muaji ky komision do të del para Qeverisë me propozimin për nivelin e këtyre borxheve, dhe procedurat e mëtutjeshme për të legalizuar komplet këtë vendim në instancat e duhura të Republikës së Kosovës.

Rreth 260 milion euro janë borxhet që bizneset kanë ndaj Administratës Tatimore të Kosovës.

Nga kjo vlerë, borxhi bazë sillet rreth 120 milionë euro, ndëshkimet rreth 45 milionë, kurse 80 milionë euro janë interesa.

Nga të gjitha këto nëse borxhet e para 31 dhjetorit 2008 falen i bie se administrata tatimore do të falë rreth 130 milionë euro. Por të gjitha këto para nuk janë të qytetarëve por të subjekteve juridike konkretisht bizneseve.

Kompania që prin më vlerën e borxheve është padyshim Korporata Energjetike e Kosovës (KEK). Qytetarët kësaj kompanie publike i kanë borxh më shumë se 400 milionë euro.

Kurse, borxhi i konsumatorëve ndaj ujësjellsit “Prishtina” është rreth 50 milionë euro, shumë e cila është si pasoje e mos pagesës se pjesës se faturuar, e që shumë konsumatore nga pas lufta.

Po ashtu edhe kompania e mbeturinave “Pastrimi”, nuk i ka punët mirë me borxhlinj. Zyrtarë të kësaj kompanie kanë thënë se borxhi aktual është rreth 16 milionë euro.

Edhe ndaj ngrohtores “Termokos” qytetaret i kanë borxh rreth 18 milionë euro.

Borxhe ndaj ngrohtores kanë edhe qytetarët e Gjakovës. Borxhi i përgjithshëm i konsumatorëve ndaj “Ngrohtores së Qytetit” arrin në vlerën prej rreth 18 milionë euro.

Po ashtu edhe konsumatorët e ujit të pijes në veri të Mitrovicës, Zveçan dhe fshatrat përreth i kanë borxh kompanisë rajonale “Ujësjellësit” në Mitrovicë 7.8 milionë euro. Kurse, borxhi totali i gjithë qytetarëve të Mitrovicës është rreth 10 milionë eurosh.

Kurse, qytetarët e Gjakovës ujësjellësit të tyre i kanë borxh 9.8 milionë euro. E, ata të Gjilanit ujësjellësit “Hidromorava”, i kanë borxh rreth 4 milionë euro./GazetaFjala/Telegrafi/

Artikulli paraprakTërmeti në veri të vendit ishte 4.1 shkallë të Rihterit
Artikulli vijuesNATO paralajmëron për reagim të Rusisë nëse armatoset Ukraina