U shënua përvjetori i shtëpisë botuese të famshme – “Logos – A”

Shkup, promovohen librat “Letërsia shqipe në Maqedoni”
“Me rastin e 25-vjetorit të themelimit të Shtëpisë Botuese Logos-A e kemi promovimin e 12 autorëve shqiptarë të Maqedonisë”, tha drejtori i Sh.B. “Logos-A”, Adnan Ismaili

Me rastin e 25 vjetorit të themelimit të Shtëpisë Botuese “Logos-A”, në Shkup u bë promovimi i librave me temë “Letërsia shqipe në Maqedoni”, ku janë botuar 12 vëllime të shkrimtarëve shqiptarë nga Maqedonia, raporton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën për gazetarin e AA-së drejtori i Sh.B. “Logos-A”, Adnan Ismaili tha se me rastin e 25-vjetorit të themelimit të shtëpisë botuese kanë organizuar këtë promovim ku do të prezantohen 12 libra të autorëve të letërsisë shqipe në Maqedoni.

“Sot me rastin e 25-vjetorit të themelimit të Shtëpisë Botuese Logos-A e kemi promovimin e 12 autorëve shqiptarë të Maqedonisë, 12 libra autoktone të letërsisë shqipe në Maqedoni. Pikërisht e kemi zgjedh këtë sepse, shumë herë ka qenë në një mënyrë e anashkaluar letërsia shqipe e Maqedonisë. Këtë hap e morëm me 25-vjetorin e Shtëpisë Botuese Logos-A. Sot e kemi këtë rast faktikisht mund të themi këtë festë, ku për herë të parë do të promovohen librat e 12 autorëve të letërsisë së gjuhës shqipe në Maqedoni”, tha Ismaili.

Në promovimin e librave morën pjesë shkrimtarë të shumtë, profesorë, përfaqësues të organizatave joqeveritare, studentë dhe dashamirës të librave.

Dymbëdhjetë titujt e botuar janë: “Librat e Babait” – Luan Starova, “Lypsiqarët e Shkupit” – Kim Mehmeti, “Një natë sa një jetë” – Salajdin Salihu, “Trishtimi i Milingonave” – Rexhep Zllatku, “Dhoma pa Derën Dalëse” – Lindita Ahmeti, “Portret pa Fytyrë” – Shkëlzen Halimi, “Heronjtë e Heshtur” – Halil Zendeli, “Vetullholla e Kobshme” – Xhabir Ahmeti, “Zjarri që ha dhe pi veten” – Nehas Sopaj, “Dashuria e Kapitenit” – Resul Shabani, “Balsami i Pritjes” – Avni Halimi, “Vetmi e Varur si numër në portë” – Lulëzim Haziri.

Përndryshe, Sh.B. “Logos-A” e cila këtë vit e feston 25-vjetorin nga themelimi i saj ka botuar libra në 1000 tituj të ndryshëm, mbi 8 milionë kopje libra.

© ZHURNAL.mk
Artikulli paraprakMjetet e BE-së s’arrijnë tek organizatat që ndihmojnë migrantët
Artikulli vijuesJanë dhënë vërtetime për 2.292 migrantë në 24 orët e fundit