U SHKRUAJNË LIDERËVE: NA TRAJTONI SI LUFTËTARË!

Grupi iniciues i Këshillit për mbrojtjen e të drejtave të ish pjesëtarëve të TMK-së, u është drejtuar me letër krerëve të institucioneve më të larta të shtetit, presidentes, Atifete Jahjaga, kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe kryeministrit, Hashim Thaçi, nga të cilët kanë kërkuar që të mos trajtohen si kategori sociale por si luftëtarë të lirisë.

“Ne ish pjesëtarët e TMK-së, të mbetur të pa punë dhe në harresë nga Institucionet e Kosovës. Ne që luftuam gjatë luftës dhe u angazhuam me gjithë qenien pas saj që t’i vëmë themelet e Ushtrisë së Kosovës. Ne që me vullnet e gatishmëri e dhamë kontributin tonë për liri e çlirim. Ne pra sot bredhim rrugëve të papunë dhe të harruar. Ne nuk po kërkojmë lëmoshë. Nuk duam që të trajtohemi si kategori sociale por të trajtohemi si luftëtarë të lirisë”, thuhet në letër.

Sipas saj, përkujdesja e shtetit dhe e shoqërisë ndaj ushtarëve të UÇK-së ia kthen dinjitetin dhe krenarinë luftës së drejtë çlirimtare dhe se vetëm atëherë kur çmohen e trajtohen si duhet veteranët, invalidët e familjet e dëshmorëve mund të konsiderojmë se kombi po ecën rrugës së duhur.

Ky Grupi iniciues ka shtruar këto kërkesa:

Njohja politike e statusit të ish ushtarakut dhe gradave ushtarake për të gjithë ish pjesëtarët e TMK-së; Risistemimi (punësimi) për të gjithë ish pjesëtarët e TMK-së të mbetur pa punë; Të gjithë ish pjesëtarët e TMK-së, deri në punësimin e tyre të paguhen me një pagë sa paga aktuale e një pjesëtari aktiv të FSK-së; Pensionimi i parakohshëm për të gjithë ish pjesëtarët e TMK-së si për pjesëtarët e FSK-së.

Ata kanë shkruar se mbeten me shpresë që këto kërkesat të tyre do të realizohen dhe se në shtatë ditët e radhës presin një lajm pozitiv.kohaislame

Artikulli paraprakFranca miratoi buxhetin e ri, me rritje taksash
Artikulli vijuesTRUSTI KTHEN 50 MILION EURO