“Ubi et orbi”, Papa Françesku dënon ata që s’ndihmojnë refugjatët

Në fjalimin e tij tradicional të Pashkëve, të mbajtur nga bazilika e “Shën Pjetrit” në Romë, Papa Françesku ka dënuar ata që kanë dështuar – sipas tij, – të ndihmojnë refugjatët dhe emigrantët, transmeton Top Channel.

Papa tha se refugjatët përballen shpesh me “refuzimin e atyre, që në fakt duhej t’u ofronin mirëseardhjen dhe ndihmë”. Ai dënoi gjithashtu terrorizmin, si një “dhunë e verbër dhe brutale”, që duhet luftuar me “armët e dashurisë”.

Fjalën e famshme të tij “Urbi et orbi”, apo “Qytetit dhe botës”, Ati i Shenjtë e shprehu përpara mijëra të pranishmëve në sheshin kryesor të Vatikanit, që ishte vënë nën masa tejet të rrepta sigurie.

“Mesazhi i Pashkëve të Krishtit të ringjallur na fton neve të mos harrojmë ata burra e gra që synojnë një të ardhme më të mirë, e për më tepër turmën gjithnjë e më të madhe të emigrantëve e refugjatëve, të cilët duan të shpëtojnë prej luftës, urisë, varfërisë dhe padrejtësisë shoqërore”, është shprehur Papa Françesku. “Shpeshherë, vëllezërit e motrat tona përballen gjatë rrugëtimit të tyre me vdekjen, apo ndonjëherë edhe me refuzimin e atyre, që duhej t’u ofronin mikpritje dhe ndihmë”.

Dhjetëra e mijëra emigrantë, shumica prej të cilëve që u largohen konflikteve në Siri dhe Irak, janë bllokuar tashmë në Greqi, pasi kombet europiane dhe Turqia arritën akordin mbi një plan që do t’u mbyllë atyre rrugët për në veri të Europës.

Papa Françesku pati një lutje edhe për Sirinë. “Krishti i ringjallur vë në dukje shtigjet e shpresës për Sirinë e dashur, një vend i shkatërruar nga një konflikt i stërzgjatur, teksa zgjohen përditë me shkatërrim, vdekje, përbuzje të ligjit humanitar dhe përçarje të harmonisë shoqërore”.

Ati i Shenjtë shprehu shpresën e tij për arritjen me sukses të paqes, kur bisedimet të rifillojnë muajin e ardhshëm. Ai nxiti gjithashtu njerëzit të përdorin “armët e dashurisë” për të luftuar “djallin” e terrorizmit. Ai foli mbi sulmet e fundit në Belgjikë, Turqi, Nigeri, Çad, Kamerun, Bregun e Fildishtë dhe Irak.

“Le të na afrojë Jezu Krishti i ringjallur më afër në këtë festë të Pashkëve me viktimat e terrorizmit, kësaj forme të verbër dhe brutale të dhunës, që vazhdon të derdhë gjakra në pjesë të ndryshme të botës”, tha Papa Françesku.

Artikulli paraprakArrestohen dy pjesëtarë të ISIS-it, tentuan të hyjnë në Turqi nga Siria
Artikulli vijuesHolandë: Arrestohet një francez i dyshuar për komplot terrorist