Vedomosti: Moska dhe Egjipti pranë nënshkrimit të kontratave për armatime me vlerë 3 miliardë

Rusia dhe Egjipti janë pranë përfundimit të kontratave për blerjen e armatimeve që arrijnë shumën 3 miliardë dollarë (2,18 miliardë euro), raportoi sot e përditshmja ekonomike ruse Vedomosti.

Të dy palët kanë “nënshkruar kontrata që e kalojnë shumën e 3 miliardë dollarëve” të cilat fokusohen në “blerjen e avionëve gjuajtës MiG-29M/M2 të sistemeve të mbrojtjes antiajrore të llojeve të ndryshme të helikopterëve Mi-35″ dhe armatime të tjera ruse, publikoi gazeta, cituar nga burime të brendshme të industrisë së mbrojtjes ruse.

Këto blerje duhet të financohen nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, sipas Vedomostit.

Ky njoftim vjen pas bisedimeve në Moskë mes presidentit rus Vladimir Putin dhe ministrit egjiptian të Mbrojtjes, mareshalit Abdel Fattah al-Sissi, i cili nuk e fsheh qëllim e tij të kandidimit për presidencën e Egjiptit, pas shkarkimit korrikun e kaluar të presidentit Mohamed Morsi.

Në kuadër të vizitës së mareshalit Sissi, Rusia dhe Egjipti njoftuan në veçanti se të dy vendet do të përshpejtojnë “bashkëpunimin ushtarak dhe ushtarako-teknik” pa dhënë detaje të mëtejshme.

Rusia, një nga eksportuesit kryesorë të armëve në botë, shpreson të forcojë bashkëpunimin ushtarak me Egjiptin, partnerin e saj në kohën e Bashkimit Sovjetik, në sfondin e ftohjes së marrëdhënieve mes Kajros dhe Uashingtonit./trt/kohaislame

Artikulli paraprakDhimbjet reumatike dhe moti
Artikulli vijuesVaj ulliri me mjaltë, kundër rënies së flokëve