Udhëheqësit fetarë, ata të Kishës Katolike dhe të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe të Kishës Protestante kanë dalë në një konferencë të përbashkët për media me anë të së cilës kanë ftuar spektrin politik që të ulen në një tryezë dhe të gjejnë një zgjidhje për tejkalim të situatës.
Ipeshkvi i Kosovës Dodë Gjergji ka thënë se qëllimi i tyre është që të gjithë njerëzit vullnetmirë tas thërrasin arsyen për mirëkuptim, për dialog dhe për një ndërtim të së ardhmes së fëmijëve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës.
“Askush nuk duhet ta kërcënojë njëri-tjetrin me forcën e popullit dhe pushtetit, por me forcën e dialogut”, tha Dodë Gjergji.
Ndërsa myftiu Naim Tërrnava ka ftuar spektrin politik që të gjejnë forcë dhe kurajë për një unitet në mënyrë që të dilet nga kjo situatë.
“Kemi thirrur dhe do thërrasim popullin për tolerancë, humanizëm mes vete. Me këtë rast shfrytëzoj rastin që të ftoj spektrin politik të Kosovës që të gjejnë kurajë, forcë, dije, vizion dhe ta gjejnë një unitet veprues për të dal nga kjo situatë në të cilën gjendemi”, tha Tërrnava.