“Kosova është e pavarur dhe këtë duhet pranuar”, është deklarata e liderit të Lëvizjes së Ripërtëritjes Serbe, Vuk Drashkoviq, i cili sërish ka nxitur debat në opinionin publik në Serbi.
Rëndësia e kësaj deklarate rritet edhe më shumë, kur dihet se partia e Drashkoviqit është futur në Parlament në zgjedhjet e fundit, në koalicion me partinë në pushtet të kryeministrit Aleksandar Vuçiq, e që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, transmeton lajmi.net.
Drashkoviq në një intervistë për të përjavshmen “Ekspres”, i pyetur nëse pajtohet me pavarësinë e Kosovës, ka thënë se me këtë realitet janë pajtuar shumica e shteteve anëtare të BE-së dhe OKB-së, dhe se “respekton këtë realitet, të cilin, siç shprehet nuk e ka krijuar ai, por vet Sllobodan Millosheviq.
“Kosova është e pavarur, Kosova është shtet. U pëlqej kjo autistëve serbë apo jo. Nuk kam aspak faj unë në këtë çështje, përveç fajit se nuk po arrij të mohoj të vërtetën”, ka thënë Drashkoviq, transmeton lajmi.net.
Deklaratat e tij janë komentuar edhe nga partnerët në koalicion, partisë së Vuçiqit.
“Drashkoviq e ka tepruar. Ato janë disa vlerësime paushall, që nuk janë për komentim. Megjithatë, qëndrime të tilla, mund të vëjnë në pikëpyetje koalicionin qeverisës”, ka thënë një bashkëbisedues i afërt me Qeverinë e Serbisë.