Universiteti publik “Haxhi Zeka” qe disa vite nuk ka ndarë bursa për studentët e tij.
Studentë të këtij universiteti raportuan disa herë në KALLXO.com se përkundër sukseseve të mira nuk po marrin bursë.
Ndërsa, rektori i universitetit “Haxhi Zeka”, Fadil Millaku, kur u intervistua nga KALLXO.com për këtë çështje muaj më parë tha së ka vite që bursat nuk ndahen për studentët nga mjetet e këtij institucioni.
“Dy vitet e fundit studentët e universitetit “Haxhi Zeka” nuk kanë marrë bursa. Unë e di që janë ndarë bursa me 2012/2013, ka mbetur dy vite në vijim, të shohim në qoftë se Ministria i qet paret dhe atëherë do t’i procedojmë menjëherë që studentët e mirë, me nota të mira, të marrin bursë. Do shpallim konkurs dhe t’u japin atë që vërtetë e meritojnë“, ka thënë ai.
Për bursat për studentët e universitetit “Haxhi Zeka”, rektori Millaku ka thënë se pret mbështetje nga Ministria.
“Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë nuk ka mjete vetanake për ndarjen e bursave për studentë të dalluar dhe për ketë arsye kemi bërë kërkesë në Ministri, kërkesë ka bërë edhe kryetari i bordit të UHZ-së. Premtimet janë që bursat do te ndahen. Unë kam biseduar disa herë me përfaqësues të unionit të studentëve lidhur me bursa dhe i kam siguruar qe universiteti “Haxhi Zeka” nuk ka te hyra të destinuara për ndarjen e bursave”, tha Millaku për KALLXO.com.
Studentë të këtij universiteti thanë për KALLXO.com se dy vite më parë edhe kur ju kanë ndarë bursa kanë marrë një shumë solide, rreth 260 euro. Ndërsa ketë vit në një konkurs të Ministrisë së Arsimit disa studentëve të fakulteteve të universiteti “Haxhi Zeka” (Fakultetit të Biznesit), nuk u është lejuar konkurrimi përkundër notës mesatare të lartë.