Urgjent, një ligj kundër blasfemisë

Në Kosovë tani është shumë lehtë të fyesh besimtarët, e sidomos ata musliman. Mund t’iu kufizosh të drejtat, madje edhe për mënyrën e jetës që bëjnë ata mund t’i nënçmosh dhe askush nuk të pengon, përkundrazi konsiderohesh i moderuar. Duke mos harruar se pas fyerjes ndaj religjionit mund edhe të ankohesh në polici se je i rrezikuar nga ekstremistat e fundamentalistat dhe shteti të ofron siguri. Por është e habitshme se kjo ndodhë vetëm me besimin islam dhe nëse ankohesh, të quajnë taliban, arab, fundamentalist, ekstremist etj. Kurse në fund të përplasin për fytyre nenin 8 të kushtetutës i cili përcakton shtetin tonë si shtet laik. Me demek, ankohesh kotë se për ata kjo i bie se jemi shtet ateist.

Tani mund të them se është e natyrshme të shtrohet nevoja për një ligj kundër blasfemisë për të mbrojtur ndjenjat fetare të besimtarëve meqë deri tani nuk po dënohet askush prej këtyre antiteistave që po na fyejnë çdo ditë.

Si shtet i ri që jemi, megjithatë nuk qëndrojmë keq me ligje. Ato nuk janë të përkryera dhe kanë edhe mangësi, por me një angazhim mund të korigjohen, plotësohen e ndryshohen. Ndërsa problemi qëndron në mos zbatueshmërinë e tyre.

Atëherë, përderisa kemi ligje por nuk kemi zbatueshmëri të tyre, a kishte me qenë më mirë që të kërkonim urgjentisht ndonjë mekanizëm për zbatim të ligjeve dhe jo të kërkojmë shtimin edhe të ndonjë ligji tjetër i cili nuk do të zbatohej?!

Në fakt, në shumë vende demokratike gjejmë ligjin kundër blasfemisë, si ligj i veçantë ose në kuadër të kodeve penale të këtyre vendeve gjejmë nene kundër blasfemisë. P.sh. në Norvegji ligji kundër blasfemisë daton prej vitit 1930, në Gjermani prej vitit 1871, ndërsa në Britaninë e Madhe prej disa shekujve, por që tani ekziston edhe një ligj i ri i kësaj natyre, i cili ndalon nxitjen e urrejtjes fetare, që nënkupton të gjitha besimet, sepse ai i vjetri ka qenë ekskluzivisht kundër blasfemisë së kishës Anglikane.

Ndërsa është interesant se disa shtete që në legjislacionin e tyre kanë edhe ligjin kundër blasfemisë, ka më shumë se 80 vite që nuk është denuar ndonjë njeri si rezultat e atij ligji por megjithatë ai ligj qëndron në kuadër të legjislacionit. Pikërisht ky fakt më shtyri që të shkruaj për një ligj të ri të tillë.

Prej 1 Janarit të vitit 2013 ka hyrë në fuqi Kodi Penal i Kosovës, të cilin e kemi miratuar në vitin 2012. Kështu neni 147 i Kodit Penal dënon nxitjen e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik. Edhe pse ky nen nuk është i kufizuar vetëm kundër blasfemisë por ka edhe elementin kombëtar, racor e etnik, megjithatë do të duhej që t’iu hynte në punë prokurorisë dhe gjykatave për shumë raste, por si duket te ne këto institucione nuk e njohin mënyrën e punës “ex-oficio” dhe gjithëherë duhet dikush të padisë dikend për të mbrojtur një të drejtë elementare e sidomos kur duhet mbrojtur ndjenjat fetare të besimtarëve.

Kjo gjendje është e papranueshme për një vend demokratik, nëse vërtetë jemi vend i tillë. Kështu përderisa neni 147 i Kodit Penal të Kosovës nuk po duket i mjaftueshëm për të mbrojtur ndjenjat fetare të besimtarëve dhe blasfemitë tjera ndaj religjionit, atëherë vërtetë na duhet një ligj kundër blasfemisë. Por edhe do të shpresoja që kurrë të mos zbatohej ai ligj, por thjeshtë le të jetë në legjislacionin tonë sikur që e kanë edhe vendet tjera evropiane se nuk i dihet, ndoshta edhe duhet që disa antiteista, të veshur me petkun demokrat të edukohen përmes një ligji të tillë. Në këtë mënyrë do të kontribuonim në tolerancën ndërfetare por edhe të ndalonim që dikush të fyej apo ofendoj ndjenjat fetare të cilitdo besim.

E di se si deputet i pavarur është vështirë të merret një iniciativë e tillë (e kam provuar edhe më herët për ndryshimin e nenit 8 të kushtetutës por për një nënshkrim, 29/30 sa më duheshin, më dështoi përpjekja), megjithatë mendoj se ia vlenë të diskutohet, tek e fundit të kemi ligje të ngjajshme me ato evropiane, edhe ashtu synimi ynë është integrimi në BE.

Po ashtu jam i vetëdijshëm se do të ketë edhe kundërshtime për një ligj të tillë në emër të lirisë së shprehjes. Kjo ndodhë çdo ditë në vendet evropiane, si p.sh. në Finland, disa herë ka pasur tendenca pë të shfuqizuar nenin kundër blasfemisë, në vitin 1914, 1917, 1965, 1970 dhe në vitin 1998 por pa sukses, sepse duhet të kuptojmë se liria e shprehjes ose veprimit përfundon aty kur fillon të cënosh lirinë e tjetrit.

Zërat antiteist nuk mund të gjejnë mbështetje aq lehtë në vendet demokratike, por fatkeqësisht në Kosovë zëri i tyre është shumë i ndikueshëm në politikat shtetërore.

Amir B. Ahmeti

(Autori është deputet i pavarur në Kuvendin e Kosovës)

 

Artikulli paraprakXhemajli: Shteti i Kosovës nuk u ka borxh asnjë cent të burgosurve politikë
Artikulli vijuesMilazim Krasniqi: Fanatikët katolikë, argatë të UDB-së e të Vatikanit