“Urrejtja për BDI-në po rritet”

Anulimi i zgjedhjeve të parapara për t’u mbajtur me 5 qershor të këtij viti në Maqedoni, po cilësohet si diçka që ishte e pritshme të ndodhte.

Gazetari dhe njohësi i heshtjeve politike, Muhamed Zekiri, thotë se shtyrja e datës së zgjedhjeve, përkundër se e domosdoshme të ndodhte, nuk është se zgjidh krizën politike në vend.

Në një intervistë dhënë për klankosova.tv, Zekiri po e konsideron Bashkimin Dmokratik për Integrim, si subjekt politik që po iu shërben interesave të ish-kryeministrit Nikola Gruevski.

“Anulimi i zgjedhjeve ishte i pritshëm pas angazhimit të madh të faktorit ndërkombëtar, por fatkeqësisht ajo qe ndodhi sot në parlament paralajmëron vetëm shtyrjen e krizës. Në fakt koalicioni VMRO DPMNE – BDI vendosi të prishë marrëveshjen e Perzhinës dhe ta kthejë qeverinë politike duke përjashtuar nga qeveria ministrat e opozitës. Në fakt partneri shqiptar i koalicionit qeveritar edhe njëherë konfirmoj se është vasal i VMRO-DPMNE-së duke ndjekur urdhrat e shefit te tyre Gruevski-t”, deklarohet Zekiri.

Kurse, se a do të kishte zgjedhje më fer dhe më korrekte nëse pas disa muajsh përmirësohet klima politike në Maqedoni, ai thotë se kjo mund të arrihet vetëm po u intensifikua protesta qytetare, qofshin ato edhe të dhunshme.

Protestat e dhunshme ai po i justifikon e  legjitimon, duke thënë se asnjë regjim nuk është rrëzuar duke protestuar në mënyrë paqësore.

“Realisht një gjë e tillë është e mundur vetëm nëse ndryshon forma e protestave qytetare dhe ato bëhen masive dhe të gjithë mblidhen për të protestuar në Shkup dhe për të marrë në dorë institucionet qoftë edhe në mënyrë të dhunshme. Pasi që historia nuk njeh ikjen e ndonjë regjimi ne mënyrë paqësore. Këtu sigurisht nuk duhet neglizhuar edhe rolin e faktorit ndërkombëtar”.

Përvec se mendon që protestat e dhunshme i sjellin dobi vendit, ai po ashtu konsideron se presidenti Gjorgje Ivanov duhet ta tërheqë vendimin për faljen e të gjithë politikanëve që janë nën hetime, vendim që kryetari e mori në prill të këtij viti.

“Ajo qe duhet ndodhë urgjentisht është tërheqja e presidentit Ivanov për faljen e kriminelëve të pushtetit”.

Vendimi për t’i anuluar zgjedhjet elektorale, nuk iu konvenon partive shqiptare aspak, e më së paku shkon për shtati BDI-së, e cila ka filluar që të humbë pikë nga elektorati shqiptar. Sipas Zekirit, shtyrja e zgjedhjeve për një kohë të pacaktuar, do t’iu hyjë në punë partive shqiptare që janë në opozitë sepse ua mundëson që të organizohen në një koalicion prej katër partish.

“Anulimi është në disfavor të dy partive parlamentare shqiptare, e më së shumti të BDI-së, ndaj të cilës urrejtja e shqiptare po vazhdon të rritet. Ky anulim i zgjedhjeve më së shumti iu konvenon partive opozitare shqiptare jashtëparlamentare, në aspekt se fitojnë në kohë për të tejkaluar kapriçot e tyre dhe në fund të ndodhë ajo që pret elektorati dhe opinioni shqiptar në Maqedoni: një koalicion i gjerë i 4 subjekteve të reja BESA, LR PDSH, RDK dhe UNITETI”, përfundon Zekiri.

Zgjedhjet parlamentare në Maqedoni, për të cilat ishte marrë vendim të organizoheshin me 5 qershor, janë anuluar nga Kuvendi i Maqedonisë, me iniciativën e Bashkimit Demokratik për Integrim.

Artikulli paraprakBESA: BDI bëri bashkë duart me VMRO-në për të vrarë Marrëveshjen e Përzhinos
Artikulli vijuesKonfirmohet edhe zyrtarisht, aeroplani i “Egyptair” është rrëzuar (Foto)