Ushtarët izraelit dëshmojnë keqtrajtimin e fëmijëve palestinezë

0
172

Jerusalem – Mbi tridhjetë ish-ushtarë izraelitë kanë treguar për keqtrajtimin e fëmijëve palestinezë që kanë parë gjatë operacioneve dhe arrestimeve ushtarake, duke zbuluar një sistem dhune të ushtrisë së Izraelit.

Një libërth dëshmish, i botuar nga “Breaking the Silence”, organizatë e ish-ushtarëve izraelitë të vendosur për të demaskuar veprimtarinë e përditshme të ushtrisë izraelite në territoret e okupuara, përmban përshkrime të rrahjeve, të frikësimeve, të poshtërimeve, të abuzimeve verbale, të lëndimeve dhe të arrestimeve në orët e vona të natës të fëmijëve palestinezë që dyshoheshin kryesisht për hedhje gurësh.

Deklaratat e dëshmitarëve janë mbledhur për të treguar “realitetin e zakonshëm” të akteve të dhunës së ushtruar nga ushtarët izraelitë kundër palestinezëve, pa përjashtuar fëmijët, në Bregun Perëndimor, ka thënë Yehuda Shaul nga “Breaking the Silence”. “Fatkeqësisht këto janë pasojat morale të okupimit të zgjatur të popullit palestinez”, është shprehur ai.

Një ish-ushtar ka përshkruar shërbimin e tij në Hebron, më 2010: “Nuk ua di asnjëherë emrat, nuk u flet asnjëherë, ata gjithmonë qajnë, dhjesin pantallonat… Janë ato momentet e tmerrshme kur je në një mision arrestimi, dhe nuk ka hapësirë në stacionin e policisë, kështu që detyrohesh të marrësh fëmijën me vete, t’ia lidhësh sytë, ta vësh në një dhomë dhe të presësh policinë që të vijë ta marrë atë në mëngjes. Ai qëndron aty sikur një qen…”

Fëmijët shpesh fëlliqnin veten, sipas dëshmive. “Më kujtohet të kem dëgjuar atë duke dhjerë pantallonat… më kujtohet edhe një rast kur njëri shurronte në brekë. Thjesht u bëra indiferent ndaj këtyre gjërave, s’më bënin përshtypje”, ka thënë një ish-ushtarak tjetër.

Një koleg i tij ka përshkruar një incident në Kalilia më 2007, në të cilin një djalë ishte arrestuar për hedhje të gurëve. “Në fund të fundit, diçka duhej bërë për t’i detyruar këta fëmijë të ndalonin së hedhuri gurë në rrugë, sepse ata mund të vrasin”, ka thënë ai. “Ai fëmijë i shtrirë në tokë, që lutej t’i kursehej jeta, ishte nëntë vjeçar. I ishte drejtuar revolja në kokë dhe ai kërkonte mëshirë. Kjo është diçka që e mundon atë tërë jetën. Por, mendoj se po të mos kishim hyrë ne në atë fshat në atë kohë, atëherë të nesërmen do të hidheshin gurë dhe mbase herën tjetër dikush do të mund të lëndohej apo edhe të vritej si pasojë”.

Shumica e ish-ushtarëve kanë dhënë dëshmi në anonimitet. Njëri prej tyre ka thënë se nuk ka marrë kurrfarë udhëzimesh si të sillet me fëmijë gjatë stërvitjes së tij për shërbim ushtarak. Ai ka thënë se fëmijët nganjëherë arrestoheshin dhe merreshin në pyetje, jo se dyshoheshin, por për të marrë informata për të afërmit apo fqinjët e tyre. (The Guardian)/zeri/kohaislame