Qytetarët shqiptarë të Shkupit paguajnë fatura marramendëse të shërbimeve të ujësjellësit. Disa të cilët i kontaktuam, thonë se edhe kur ka ndodhur që të ankohen tek përgjegjëist e kësaj ndërmarrje, çdoherë kanë hasur në vesh të shurdhët.
Qytetari me inicialet R.E. thotë se faturat, duket qartë se janë paushale.
” Si ka mundësi që shuma e njëjtë për shpenzim të ujit, të përsëritet disa muaj me radhë. Kjo do të thotë se ata i dërgojnë faturat e ujit në mënyrë paushale. Kjo është plaçkitje e drejtpërdrejtë e xhepit të qytetarit. Unë kam harruar kur kanë ardhur punonjësit e kësaj ndërmarrje për të parë orën matëse për harxhimin e ujit. Pradadoksi qëndron në atë, se pavarësisht kësaj vetëm për tre fatura të papaguara, të cilat janë paushale dhe me një shumë finansiare jokorrekte për një periudhë të tillë, më dërgojnë paralajmërime për padi në gjyq ”, thotë qytetari me inicialet R.E nga Komuna e Çairit.
Ndërkaq, në numrat e publikuar në faqen zyrtare të kësaj ndërmarrje, përkundër insistimeve tona, nuk arritëm të marrim asnjë prononcim nga ana e përgjegjësve të Ujësjellësit të Shkupit.