Varshavë: Gjykohen ushtarët vrasës të dasmorëve afgan

Katër ushtarë polakë, të akuzuar për vrasjen e tetë civilëve afganë, u paraqitën të mërkurën në gjykatë për t’u përballur me drejtësinë që mund t’i dërgojë në burg për 5-12 vitet e ardhshme.
Civilët, përfshirë gra dhe fëmijë, mbeten te vrare në fshatin e Nangarit në Khel, kur trupat polake hapën zjarr mbi një ceremoni martesore, në gusht 2007.

Prokurorët ushtarakë apeluan në Gjykatën e Lartë Polake, pasi shkalla e parë shfajësoi për mungesë provash shtatë ushtarë ne 2011-n.

Në apel u konfirmua shfajësimi i tre ushtarëve, ndërsa katër të tjerët u thirrën për t’u ripërballuar me akuzat.

E përditshmja “Wiadomosci”, duke iu referuar akuzës, i cilësoi dëshmitë e personave të përfshirë në këtë ngjarje si kontradiktore, transmeton TCH.

Në marrjen e veçuar në pyetje, disa ushtarë justifikuan sulmin e tyre duke thënë se po i përgjigjeshin zjarrit taleban, të tjerë thanë se kështu ishin urdhëruar, ndërsa njëri prej tyre u mbrojt duke thënë se municioni ishte defektoz.

Ushtarët polakë akuzohen për shkelje të Konventës së Gjenevës dhe Hagës, në lidhje me mbrojtjen e civilëve në konflikte të armatosura.

Aktualisht, Polonia ka në Afganistan rreth 2 500 trupa, të cilat shërbejnë si pjesë e koalicionit prej 130 mijë ushtarësh të NATO-s dhe vendeve aleate.

Artikulli paraprakVriten 4 pakistanez, nga një sulm ajror i forcave amerikane
Artikulli vijues50 të plagosur, 2 në gjendje kritike në Nju Jork