Vazhdimi i bisedimeve për Sirinë , më 25 shkurt

Kombet e Bashkuara sot kanë pezulluar negociatat e paqes për Sirinë në Gjenevë, raporton AA.

I dërguari special i OKB-së për Sirinë, Staffan De Mistura deklaroi se negociatat janë anuluar dhe planifikohet që negociatat e ardhshme të fillojnë më 25 shkurt. Ai theksoi se nevojitet që para negociatave të reja të ndërmerren hapat e duhur lidhur me krizën humanitare, duke theksuar se negociatat duhet të mbahen në interes të popullit të Sirisë.

“Për këtë shkak do t’i pezullojmë negociatat dhe të ardhshmet do të fillojnë më 25 shkurt. A jemi këtu për të zhvilluar negociatat e Gjenevës pa rezultate apo të jemi serioz teksa bisedojmë për ardhmërinë e Sirisë, procesin politik, Kushtetutën e re dhe zgjedhjet? Populli sirian pret një zgjidhje nga këto negociata. Të jem i sinqertë atë nuk e kam parë dhe nevojitet të bëhet pauzë që sërish të mund të fillojmë negociatat”, tha De Mistura.

Delegacioni i opozitës siriane anuloi takimin e planifikuar të djeshëm me De Mistura dhe bëri thirrje që bashkësia ndërkombëtare të ushtrojë presion shtesë ndaj regjimit të presidentit sirian Bashar al-Assad dhe Rusisë që të heqin dorë nga sulmet dhe të krijojnë ambient të sigurtë për një proces negociues.

Procesi i negociatave që prej të premtes zhvillohet në Gjenevë në format të takimeve të ndara të delegacioneve siriane me ndërmjetësim të OKB-së në krye të së cilit është De Mistura, që dje hynë në njëfarë ngecjeje, ndërsa opozitarët sirianë pohojnë se shkaku i ngecjes së negociatave është se akoma nuk kanë marrë përgjigje ndaj kërkesave të vendosura për të zhbllokuar të gjitha qytetet nën okupimin e ushtrisë siriane, dorëzimin e ndihmës humanitare për civilët dhe lirimin e të burgosurve nga burgu.

Qëllimi kryesor i negociatave në Gjenevë është implementimi hartës së rrugës për zgjidhje politike të krizës siriane, që u miratua më 14 nëntor në Vjenë, ndërsa përmbahet edhe në rezolutën e Këshillit të Sigurimit e cila u miratua më 18 dhjetor të vitit të kaluar.

Kjo zgjidhje parashikon që negociatat të përfundojnë dhe të vendoset qeveri tranzicioni në periudhë prej gjashtë muajve, ndërsa paralelisht me këtë, të vendoset edhe armëpushimi nëpër fronte. Në fazën e ardhshme prej 12 muajve parashikohet hartimi i Kushtetutës së re dhe mbajtja e zgjedhjeve transparente në Siri.

Lufta në Siri filloi në mars të vitit 2011 dhe deri tani 250.000 njerëz kanë humbur jetën, ndërsa 4.5 milionë persona janë shpërngulur.

Përpjekja e parë e negociatave është mbajtur më 30 qershor të vitit 2012 në Gjenevë, por Deklarata e atëhershme e Gjenevës nuk u implementua. Raundi i radhës i negociatave të paqes në Gjenevë është mbajtur më 22 janar të vitit 2014, por edhe atëherë nuk u përmbush qëllimi, e ai është vendosja e paqes në Siri.

Artikulli paraprakVIDEO – A lejohet berza në Islam
Artikulli vijuesKastriot Myftaraj i cili tha duhet me bombardu Mekken dhe Medinën tash flet kundër Lëvizjes BESA