Vazhdimi i mandatit të Presidentes bie ndesh me rezolutën e Kuvendit

0
109

Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosova e re dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë qëndrime të ndryshme lidhur me vazhdimin ose jo të mandatit të presidentes Jahjaga sipas asaj që është paraparë në Kushtetutë. Ekspertët i japin të drejtë Jagjagës për kërkesën e saj, por hartuesit e Kushtetutës i kujtojnë marrëveshjen e arritur kur ajo u zgjodh në këtë pozitë.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, po provokon një krizë të re politike në Kosovë. Ambiciet e sa për të vazhduar mandatin e presidentes sipas asaj që është paraparë në Kushtetutë kanë bërë që të iniciohet procedura në Gjykatën Kushtetuese e cila edhe mund ti jap këtë të drejtë.
Por profesori i të Drejtës Kushtetuese dhe njëri ndër hartuesit e Kushtetutës, Arsim Bajrami thotë se një vendim i Gjykatës Kushtetuese për vazhdimin e mandatit të presidentes do të binte ndesh me rezolutën e miratuar në Kuvend.
Sipas nenit 85 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës për president mund të nominohet secili shtetas i Kosovës që ka moshën mbi 35 vjet ndërsa neni 86 potencon se ai duhet të sigurojë së paku 30 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit. Po sipas këtij neni, zgjedhja e presidentit bëhet me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve dhe me votim të fshehtë.
Në rast se në raundin e parë asnjëri nga kandidatë nuk merr votat e parapara atëherë votimi vazhdon në raundin e dytë dhe të tretë ku përfundimisht kërkohen së paku gjysma plus një votat e numrit të përgjithshëm të deputetëve në Kuvend.
E nëse edhe në raundin e tretë dështon zgjedhja e presidentit, Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhjet e parakohshme.
Por zgjedhja e presidentes Atifete Jahjaga nuk ishte bërë në këtë formë. Të ndodhur në një krizë të thellë politike pas vendimeve të njëpasnjëshme të Gjykatës Kushtetuese lidhur me mbajtjen e pozitës së presidentit të vendit nga atëher kreu i LDK-së Fatmir Sejdiu, dhe mënyrës së zgjedhjes së Behgjet Pacollit president, dy partitë në koalicion qeveritar dhe Partia më e madhe opozitare në vend LDK, kishin arritur një marrëveshje për zgjedhjen e një presidenti të përkohshëm deri në amandamentimin e Kushtetutës.
Ndërmjetës i bisedimeve dhe propozues i emrit të Jahjagës për këtë pozitë ishte ambasadori amerikan Kristofer Dell.
E ndërkohë që Komisioni për ndryshimin e kushtetutës po vazhdon të punojë në këtë drejtim dhe me amandamentimin e saj, presidenti i vendit do të zgjedhet drejtpërdrejtë nga populli, tri subjektet politike që ishin akterë të marrëveshjes kanë qëndrime të ndryshme lidhur me këtë.
Derisa për Partinë Demokratike të Kosovës kjo nuk do të paraqiste ndonjë problem, aleati i saj Aleanca për Kosovën e Re dhe partia më e madhe opozitare në vend Lidhja demokratike e Kosovës janë shprehur kategorikisht kundër qëndrimit të Jahjagës në pozitën e presidentes deri në fund të mandatit të paraparë me Kushtetutë.
Ata thonë se Jahjaga ishte në dijeni lidhur me mandatin sipas marrëveshjes së arritur dhe e kishte pranuar edhe vet nj gjë të tillë. /BS/kohaislame