Vazhdojnë sulmet e ISIS në Gadishullin e Sinait, vriten 5 ushtarë egjiptianë

Persona të dyshuar si militantë të Shtetit Islamik kanë sulmuar dy pika kontrolli ushtarake në Gadishullin e Sinait në Egjipt, duke vrarë të paktën 5 ushtarë.
 
Burime të Sigurisë egjiptiane kanë bërë të ditur se ngjarja ndodhi në qytetin verior të Sheikh Zuweid, thuajse në të njëjtën zonë ku dy javë më parë mbetën të vrarë 17 ushtarë në një sulm të ngjashëm. 
 
Kohët e fundit sulmet ndaj forcave të sigurisë në gadishullin e Sinait janë rritur ndjeshëm. 
 
Ditën e Enjte, militantë të ISIS zgjeruan aktivitetin e tyre terrorist edhe në det. Një sulm i mbështetësve të ekstremistëve në detin Mesdhe shkatërroi plotësisht një patrullë të marinës egjiptiane, 2 milje larg brigjeve të Gadishullit Sinai, pranë Rripit të Gazas.
 
Ushtria egjiptiane tha se nuk pati asnjë viktimë nga sulmi, i cili ishte i parë në det i ISIS-it, që javët e fundit është treguar mjaft agresiv në Egjipt./Top-Channel
Artikulli paraprakDhunoi fizikisht ish-dhëndrin, arrestohet 57-vjeçari
Artikulli vijuesVazhdon shitja e ishujve grekë, Buffett blen një për 15 mln euro