Siri, Hezbollah po ndihmon Assadin

Opozita dhe kryengritësit e armatosur sirian akuzuan grupin e armatosur Hezbollah si autor i sulmit të tre fshatrave sirianë në kufirin me Libanin.

Këshilli Sirian Kombëtar, organizmi udhëheqës i opozitës siriane që koordinon si betejën ushtarake ashtu edhe atë politike, tha se luftëtarë të Hezbollah kaluan kufirin mes Libanit dhe Sirisë dhe sulmuan tre fshatra. Sipas KSK-së, Hezbollah është përfshirë drejtpërdrejt në konflikt duke siguruar mbështetje në njerëz për regjimin e presidentit Assad.

Përleshjet në tre fshatrat kufitarë janë konfirmuar edhe nga vetë Hezbollah, por kjo e fundit mohoi akuzat e opozitës siriane se po mbështet  me trupa Assad.

Ndërkohë, Kombet e Bashkuara lëshuan alarmin se abuzimet me të drejtat e njeriut në Siri janë përkeqësuar. Në një raport të publikuar të hënën nga një grup i posaçëm i OKB-së thuhet se konflikti ka marrë përmasa “të një lufte fetare radikale”.

Raporti thotë se abuzime me të drejtat e njeriut ka nga të dyja palët, pavarësisht se krimet e opozitës së armatosur dhe grupeve të saj nuk janë në të njëjtin proporcion me dhunën e ushtrisë së Assad.

Prokurorja e Hagës, Karla Del Ponte tha se ka ardhur koha që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të adresojë krimet e konfliktit sirian në Gjykatën Ndërkombëtar Kriminale.

Javën e kaluar OKB deklaroi për mbi 70 mijë viktima që nga nisja e kryengritjes kundër presidentit Bashar al Assad./tch/kohaislame

Artikulli paraprakMisteri rreth të “Burgosurit X” në Izrael
Artikulli vijuesMubarak nuk ka para në Shqipëri