Me mijëra migrantë kanë hyrë gjatë vikendit nga Hungaria, për në Austri. Autoritete e Austrisë thonë se ky numër pritet të jetë më i lartë sot dhe ditët në vijimi, raporton BBC. Ministrat e jashtëm të vendeve të Evropës lindore, janë duke zhvilluar takime intensive rreth çështjes së migrantëve.
Ndërkohë që nesër, më 22 shtator, ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian, do të bëjnë thirrje për një samit të jashtëzakonshëm, i cili pritet të mbahet një ditë më vonë.
Kriza e migrantëve ka shkaktuar përçaje të thellë mes vendeve të eurozonës.
Presidenti i Francës, Francois Hollande ka thënë se “askush nuk mund të përjashtohet” nga përgjegjësia për të pranuar migrantë.
Përderisa presidenti i Këshillit të Evropës, Donald Tusk ka thënë se BE, duhet t’u ndihmojë më shumë migrantëve sirianë, “për një jetë më të mirë afër shtëpive të tyre.”
Ndërkohë që në takimin e sotëm, ministrat e Hungarisë, Polonisë, Sllovakisë dhe Çekisë, pritet ta rikonfirmojnë qëndrimin e tyre, për të kundërshtuar thirrjen e Gjermanisë, për të pranuar më shumë migrantë.