Kërkimi masiv për aeroplanin e zhdukur ka vazhaduar edhe gjatë natës. Aeroplani i kompanisë EgyptAir dje është zhdukur nga radari mbi Detin Mesdhe me 66 njerëz në të, ndërsa autoritetet e Egjiptit thonë se kjo ka mundur të jetë sulm terrorist.
Raportet e mëparshme thonin se autoritetet e Greqisë kishin gjetur “materiale lundruese” dhe jelekë shpëtimi, ndërsa zëvendëspresidenti i kompanisë kombëtare ajrore të Egjiptit, Ahmed Adel, i tha rrjetit CNN se mbetjet e aeroplanit të zhdukur janë gjetur.
Por, më vonë gjatë ditës së djeshme, zoti Adel i tha CNN se mbetjet nuk ishin gjetur.
Rrjedhimisht, ai theksoi se “kërkimi dhe shpëtimi ende vazhdojnë”.
Në Uashington, Shtëpia e Bardhë tha se është shumë herët të përcaktohet se cilat janë shkaqet e rrëzimit të aeroplanit.
Por, disa zyrtarë të Egjiptit thanë se ka mundur të jetë sulm terrorist dhe se lista e udhëtarëve po shqyrtohet për të përcaktuar nëse ndonjë ekstremist ka qenë brenda në aeroplan.