Vdes Aliu, vëllai i Omranit, vogëlushit i cili u bë simbol i vuajtjes së popullit sirian

Vëllai i vogëlushit sirian të fiksuar r në autoambulancë pas sulmeve ajrore në Alepo, ka vdekur të shtunën nga lëndimet e marra në të njëjtin sulm.

Njoftimi është dhënë nga autori i fotos së Omranit të vogël, e cila preku mbarë botën.

“Aliu 10-vjeçar, ndërroi jetë në spital pas lëndimeve të marra në trup”, njoftoi Mahmud Raslan.

Fotografia me Omranin e mbuluar me pluhur dhe gjak në veturën e autoambulancës pas sulmeve ajrore, është publikuar nga media të shumta në gjithë botën.

Të dy vëllezërit bashkë me prindërit e tyre, u nxorrën nga gërmadhat e ndërtesës ku po jetonin, pas një sulmi ajror ditën e mërkurë, kryer nga forcat qeveritare siriane, të ndihmuara nga ato ruse.

Grupi ndërkombëtar për të drejta të njeriut, Amnesty International akuzoi Rusinë dhe qeverinë e presidentit Bashar al-Assad për bombardimin e zonave të banuara.

“Familja dëshiron që të fshehë identitetin e saj për shkak të frikës nga hakmarrja e mundshme, pas publikimit të fotografisë së vogëlushit e cila përshkoi gjithë botën”, tha Raslan. /tesheshi.com/

Artikulli paraprakXhemati i Shqipërisë mbledh 20.000 dollarë për Hasanbegun
Artikulli vijues(VIDEO) Vazhdojnë kërkimet për gjetjen e Elifit