Një ngjarje e rëndë është shënuar mëngjesin e sotëm në maternitetin “Koco Gliozheni”.
Aida Koçi, një nënë 35-vjeçare dhe foshnja e saj ndërruan jetë.
Familja nga Paskuqani akuzon mjekët për pakujdesi dhe neglizhencë.
Ata kanë bërë denoncim në polici.
Sipas familjarëve, nëna e re është sorollatur nga mjekët sa në njërin spital në tjetrin, nga Qendra Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ te Senatoriumi dhe më pas është dërguar sërish tek materniteti ‘Koço Gliozheni’.
Pas ngjarjes, drejtuesit e këtij materniteti kanë mbledhur mjekët e këtij spitali për të diskutuar mbi këtë rast që përfundoi me vdekjen tragjike të nënës dhe fëmijës së saj.
Dy oficerë të policisë gjyqësore kanë kryer veprimet hetimore në maternitet, ndërsa familjarët e 35-vjeçares janë nisur drejt komisariatit për të bërë denoncimin.
Gruaja ishte nënë e dy fëmijëve të tjerë dhe bashkëshorti jetonte në Itali.
Në maternitet ishte shoqëruar nga kunati.
Në një lidhje telefonike kunati i viktimës tregon orët e vështira të mbrëmjes së djeshme:
“Ishte në muajin e vet. Materniteti na çoi drejt QSUT-së, në Urgjencën e zemrës dhe më pas në Sanatorium. Në orën 02:30 minuta jemi kthyer, por mbi 20 minuta kemi qëndruar jashtë pasi nuk kishte barrelë, as oksigjen dhe nuk mund të transportohej,” thotë ai për Ora News.
“Kishte mjek roje, por erdhën me shumë vonesë. Kirurgu erdhi dy orë me vonesë. Ajo kishte probleme me tensionin. Na thirrën në orën 05:00 e na thanë se fëmija ka vdekur. Tani po mundohemi të shpëtojmë të madhen. Të madhen të shpëtonin të paktën. Ajo ka vdekur në 05:10, por ne e mësuam në 06:10 minuta”.
Njoftimi i policisë
Rreth orës 06:00, mjekët e spitalit “Koço Glozheni” kanë lajmëruar tek numri 112 se kanë një konflikt në pavionin e urgjencës.
Në momentin e arritjes së shërbimeve në urgjencën e spitalit kanë konstatuar derën e pavionit të dëmtuar si dhe xhamat.
Gjithashtu mjekët kanë sqaruar se ka vdekur foshnja e porsalindur dhe familjarët e irrituar kanë shkaktuar dëmet në pavion.
Për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, shërbimet kanë ftuar shtetasin F.O. (i vëllai) që të kalonte me ta në komisariat për një deklaratë.
Rreth orës 07:00 kanë njoftuar mjekët e spitalit se ka vdekur shtetasja Aida Koçi, 35 vjeçe, banuese në Tiranë.
Menjëherë është bërë e mundur që shtetasi F. O. të kalojë tek spitali.
Grupi hetimor në vendin e ngjarjes ka tërhequr regjistrat e spitalit dhe janë shoqëruar për të dhënë deklarata mjekët që kanë qenë në punë.
Vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.