Vendi i dyshuar për varrezë masive pret urdhrin e prokurorit

Deklarata e një gruaje e cila thotë se gjatë kohës së luftës së fundit në Kosovë ka parë disa persona të groposur pranë Kishës Ortodokse në oborrin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, përkatësisht mbrapa Rektoratit, ka bërë që institucionet përkatëse të rrethojnë atë pjesë.
Lidhur me këtë, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu ka thënë për Indeksonline se ka pranuar një informatë nga qytetarë të cilët jetojnë në këtë pjesë të kryeqytetit, sipas të cilëve, bëhet fjalë për varrezë masive.
Ai ka theksuar se sipas informatave që ka marr nga qytetarët, në oborrin e UP-së është punuar gjatë natës me ekskavator, transmeton Indeksonline.
“Ne si institucione duhet të verifikojmë informatën, organet kompetente janë duke e kryer punën e tyre dhe nëse informata është bindëse, prokurori do të lëshojë urdhëresë për ta kontrolluar atë teren”, ka thënë Gërxhaliu.
Sipas tij, derisa nuk dëshmohet se vërtet ka trupa të groposur në vendin e caktuar, nuk mund të quhet varrezë masive.
“Nuk mundemi ta quajmë varrezë masive përderisa nuk gjejmë mbetje mortore, pra thjesht duhet ta verifikojmë informatën apo del apo nuk po del diçka, por me siguri do të njoftoheni me kohë”, ka thënë tutje Gërxhaliu. /

Image

Image

Image

Artikulli paraprakNë janar 2017 themelohet Agjencia e të Hyrave e Kosovës
Artikulli vijuesKu jeni ju të Lëvizjes BESA tash në Ramazan nuk po ju shohë askund ?!