Vendoset përfundimisht – Portalet përgjegjëse për komentet

Dje përfundoi procesi 9 vjeçar i kontestit në mes të Republikës së Estonisë dhe portalit të lajmeve Delfi. Kontesti kishte të bëjë me komentet e publikuara në portalin Delfi të cilat përmbanin gjuhë të urrejtjes.
 
Portali Delfi në janar të vitit 2006 publikoi artikullin “SLK theu rrugën e akulltë”, që fliste për një kompani detare në Estoni.
 
Njëzet prej 185 komenteve të bëra brenda dy ditëve ishin kërcënime direkte ndaj përsonit të përmendur në artikull.
 
Në Mars të të njëjtit vit, avokatët e L. I, përsonit të përmendur në artikull, i bënë kërkesë portalit për largim të komenteve dhe kërkuan 32 mijë euro kompenzim.
Delfi largoi komentet por refuzoi kërkesën për dëmshpërblim.
 
Më pas, avokatët e L. nisën procedurën civile në lidhje me dëmshpërblimin e cila kaloi nëpër të gjitha fazat e brendshme dhe përfundoi me dhënien e të drejtës L. dhe arsyetimin se Delfi do të duhej të kishte parandaluar publikimin e komenteve të tilla.
 
Të gjitha fazat e drejtësisë vendore i dhanë të drejtë L. dhe vendosën për kompenzimin e kompanisë së anijeve (L.) me vetëm 320  euro.
 
Pasuan ankesat e Delfi-t në fazat e drejtësisë së brendshme – por pa sukses.
 
Përfundimisht Delfi dorëzoi kërkesën për shqyrtim në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut me pretendimin se Republika e Estonisë ka shkelur Nenin 10 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut i cili përcakton lirinë e shprehjes, duke e mbajtur Delfi-n përgjegjës për komentet e lexuesve.
 
Argumente dhe kundër-argumente:
 
Delfi në mbrojtjen e dhënë ka pretenduar se kontrollimi i komenteve është në kundërshtim me Nenin 10 të Konventës Evropiane i cili nen përcakton lirinë e shprehjes. Këtë argument e ka kundërshtuar Republika e Estonisë.
 
Palët e treta të cilat kanë dorëzuar argumente para Gjykatës ishin: Fondacioni i Helsinkit për të drejtat e njeriut, Article 19, Access, Media Legal Defense Initiative, EDiMA, CCIA Europe and EuroISPA – të gjitha këto duke konsideruar që duhet të bëhet dallim esencial në mes të medias moderne dhe asaj tradicionale.
 
Dallimi konsiston edhe në faktin se duhet pasur parasysh që portalet online duhet të lejojnë debatet që zhvillohen përmes vazhdës së komenteve e jo t’i ndalojnë ato.
 
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut vendosi që portali në fjalë është përgjegjës për komentet e lejuara dhe që Republika e Estonisë nuk e ka shkelur Nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut që përcakton lirinë e shprehjes.
 
Vendimi u morr’ me 15 vota pro dhe dy vota kundër.
 
Vendimi prek edhe Kosovën
 
Republika e Estonisë, ngjashëm sikur shtetet e tjera të sistemit kontinental e ka të përcaktuar në kushtetutë  lirinë e shprehjes dhe obligimin për jo-cenzurë. Në të njëjtën kohë e ka të përcaktuar edhe ndalimin e shprehjes së gjuhës së urrejtjes dhe ofendimit.
 
Ngjashëm si Estonia edhe Kushtetuta  e Kosovës përcakton obligimet për liri të shprehjës dhe ndalimin e cenzurës.
 
Po ashtu përveç Estonisë vendimi i marrë dje nga GjEDNJ prek edhe Kosovën. 
Kosova në Kushtetutën e saj e ka të përcaktuar obligimin për zbatimin e drejtëpërdrejtë të marrëveshjeve dhe instrumenteve ndërkombëtare, ku ndër to është edhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
 
Ndërkaq, përveç marrëveshjeve dhe instrumenteve, në Nenin 53 përcaktohet shprehimisht detyrimi kushtetues për interpretimin e të drejtave dhe lirive të garantuara me Kushtetutë, në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
 
Bazuar në vendimin e GjEDNJ-së edhe në Kosovë  portalet janë përgjegjëse ligjërisht për komentet elexuesve të tyre.
 
Megjithatë vendimi nuk përcakton shprehimisht përgjegjësinë ligjore për komentet e lexuesve në faqet e portaleve nëpër rrjete sociale./Gazeta JNK
Artikulli paraprakPolicia sllovene: E respektuam kërkesën e Serbisë për arrestimin e Haradinajt
Artikulli vijuesThaçi – Dikur u shpalli luftë myslimanëve, tani ua uron Ramazanin!