“Veriu i Kosovës dhe perspektiva europiane”

Me një angazhim të të gjithëve, duke përfshirë këtu ndërkombëtarët e vendorët bashkë, ekziston mundësia për largimin e pengesave dhe zhvillimin e një jete normale në veri të vendit.

Kështu u tha gjatë konferencës me temën “Veriu i Kosovës dhe perspektiva evropiane” që u mbajt të premten në Mitrovicë, ku morën pjesë shumë ambasadorë të shteteve të huaja në Prishtinë, parlamentarë, përfaqësues të shoqërisë civile etj.
Ergin Kerolli, përfaqësues i komunitetit turk, ka thënë se integrimi në BE nuk është më privilegj, por nevojë jetike si për Kosovën, ashtu edhe Serbinë. Sipas tij, që nga viti 1999 nuk ka pasur angazhim të mjaftueshëm në veri, sepse nuk është realizuar në tërësi rezoluta 1244 e OKB-së, andaj ka pasur mungesë të lëvizjes së lirë për qytetarët, pastaj strukturat paralele të Serbisë kanë qenë prezente në veri, etj.

Ai ka potencuar se këto janë ndër shkaqet e një gjendje të ndarjes nacionale që mbretëron tani dhe që krijojnë përshtypjen se nuk mund të ketë jetë të përbashkët.

“Mendoj se hapja e perspektivës evropiane për Kosovën dhe Serbinë është dialogu, si dhe vendosmëria e faktorit ndërkombëtar në zgjidhjen e problemeve”, ka thënë Kerolli, duke shtuar se i vetmi plan që jep shpresë është ai i Ahtisaarit, transmeton KP.

Azem Vllasi, ish udhëheqës politik, ka thënë se qytetarët pa dallim duhet t’i kthehen të ardhmes, të jetojnë bashkë dhe të korrespondojnë paqe në rajon, për të qenë pjesë e BE-së.

“Grupet kriminale nuk bëjnë ura bashkëpunimi, por ata të cilët sinqerisht bëjnë përpjekje për zgjidhjen e problemeve”, ka thënë Vllasi.

Sipas tij, do të reflektonte jashtëzakonisht mirë që vetë qytetarët e Mitrovicës, shqiptarë e serbë bashkë, të heqin barrikadën mbi urën kryesore të Ibrit dhe të determinojnë kështu një fillim simbolik të bashkëjetesës për të ardhmen.

Ndërkaq, Nenad Radosavlevic, ish kryetar i komunës së Leposaviqit, ka pranuar se gjendja e tanishme në veri është problem për integrimin evropian, si për Kosovën ashtu edhe Serbinë.

“Veriu është viktimë e politikave jo të mira të Prishtinës dhe Beogradit dhe këtë po e ndiej vetë unë në lëkurën time si banor i atjeshëm”, ka thënë ai.

Rreth ndikimit të mediave vendore, të Beogradit dhe atyre ndërkombëtare në situatën në veri, ai ka shtuar se qytetarët e veriut janë të mangët sa i përket informimit nga Prishtina, sepse ato nuk mund të dëgjohen në atë pjesë.

“Sa i përket mediave të Beogradit mund të them se ato nuk janë edhe aq cilësore, por megjithatë në krahasim me periudhën e para vitit ‘99, ato tani janë më reale”, thekson Radosavlevic, duke shtuar se mediat e Kosovës janë në përparësi ndaj atyre të Serbisë, sepse pasqyrojnë informacione në mënyrë më korrekte.

Kjo konferencë u organizua nga OJQ Radio Televizioni i Mitrovicës, ndërsa u mbështet financiarisht nga ambasada e mbretërisë së Holandës në Prishtinë.kohaislame

Artikulli paraprakHTC 8X hyn në tregun britanez
Artikulli vijuesPse ka rëndësi pastrimi i mirë i fytyrës?