Premtimi i bujshëm i shefit ekzekutiv të kompanisë ajrore “Norwegian Air”Kompania “Norwegian Air Shuttle ASA” ka në plan të ofrojë bileta për fluturime (vetëm vajtje) ndërmjet SHBA dhe Europës me çmimin e çmendur 69 dollarë amerikanë.
Këto bileta do të fillojnë në vitin 2017 dhe dotë bëhet duke përdorur jo aeroportet e famshme të Amerikës por ato të qyteteve pak më të vogla.
Lajmin e njoftoi agjensia e lajmeve Reuters në bazë të një interviste nga Bjørn Kjos, shefi ekzekutiv i kompanisë norvegjeze.
Fillimisht kompania do të provojë aeroporte të qyteteve si Edinburgh në Skoci apo Bergen në Norvegji, që do t’i lidhë me aeroporte të panjohur në hartën e fluturimeve ndërkombëtare. Për shembull, në New York, në vend që të niset nga Aeroporti JFK ku kompanive u vendoset taksë e madhe, do të përdoret Aeroporti i Kontesë Westchester (në veri të Neë York-ut, ku jetojnë shumë shqiptaro-amerikanë). Kjos përmendi gjithashtu aeroportin pak të njohur, “Bradley” në Connecticut.
Mungesa e trafikut në këto aeroporte do të bëjë të mundur koston e ulët të fluturimit dhe si rrjedhim çmimet e ulëta. Nëse kjo praktikë zgjerohet shumë çmime të industrisë ajrore mund të rishikohen.
Një pengesë do të jetë mungesa në aeroportet e vogla të shërbimit të doganave dhe të emigracionit, por Kjos tha se kjo do të rregullohet.
Pak javë më parë, siç ka shkruar edhe gazeta shqiptaro-amerikane, “Illyria”, një tjetër kompani ajrore (Wow Air nga Islanda) bëri bujë në SHBA kur ofroi fluturime vetëm 99 dollarë nga Bostoni në Paris.
“Në pesë vjet e gjithë industria do të transformohet, kompanitë e mëdha si Lufthansa nuk do të mund të mbajnë çmimet që kanë”, tha për agjensinë Reuters shefi ekzekutiv i “Norwegian Air”.