Vetmia është një fenomen që mund të vrasë, e cila nuk është thjesht një frazë metaforike e shkëputur nga librat artistikë, por një e vërtetë shkencore. Të ndierit vetëm mund të rrisë te njeriu rrezikun e sëmundjeve të zemrës, atakut dhe kancerit.
Mungesa e një grupi shoqëror dhe familjar është e rrezikshme për shëndetin po aq sa mungesa e aktivitetit fizik, sugjeron një studim i kryer kohët e fundit.
Shkencëtarët e Universitetit të Karolinës së Veriut kanë studiuar lidhjen mes marrëdhënieve shoqërore dhe sëmundjeve në secilën fazë të jetës.
Njerëzit që gëzojnë mbështetjen e të dashurve të tyre kanë më pak shanse për t’u prekur nga sëmundje dhe si rrjedhim do të jetojnë më gjatë.
Në bazë të këtij studimi, mjekët këshillojnë që prindërit duhet të inkurajojnë fëmijët e tyre adoleshentë dhe në moshë të re që të ndërtojnë sa më shumë marrëdhënie shoqërore, pasi kjo është po aq e shëndetshme sa aktiviteti fizik.
Edhe studime të mëparshme kanë treguar se njerëzit jetojnë më gjatë kur kanë shumë lidhje shoqërore. /albeu.com/