VETOJA RUSOKINEZE DËSHMON PËR FUNDIN E MISIONIT TË ANNAN

Shtëpia e Bardhë u shpreh se “ishte tej mase për të ardhur keq” përdorimi i vetos së dyfishtë nga Rusia dhe Kina ndaj një rezolute në Këshillin e Sigurimit në OKB mbi Sirinë dhe shtoi me bindje se kjo nënkuptonte fundin e misionit të kryesuar nga i dërguari i posaçëm Kofi Annan në vend.

Duke deklaruar se mbështetja për regjimin e Bashar al-Assad përbënte një ”gabim të madh”, zëdhënësi i presidentit Barack Obama, Jay Carney, deklaroi gjatë një takimi me gazetarë në bordin e avionit presidencial ”Air Force One”, se dështimi në Këshillin e Sigurimit lidhur me çështjen dëshmonte qartë se misioni i Annan “nuk mund të vazhdonte më tej”.

Kurse Bashkimi Evropian po përgatit theksimin e sanksioneve në takimin për Sirinë dhe embargos së armëve me autorizimin e inspektimeve të anijeve dha avionëve që dyshohet se e shkelin, njoftuan pak më parë burime diplomatike evropiane.

Diskutime vazhdojnë në Bruksel për vendosjen e të paktën 26 personave të tjerë dhe të tre entiteteve, që besohet të jenë të lidhur me regjimin dhe mbështetsë të represionit në Siri, në listën për ngrirjen e pasurive dhe aseteve financiare dhe ndalimin e vizave, dokument që pritet të miratohet të hënën nga ministrat e Jashtëm të BE-së, theksuan burimet.

Mbreti i Spanjës, Huan Karlos bëri të enjten thirrje për zgjidhjen e konfliktit sirian “në kuadër të Këshillit të Sigurimit në OKB”, nga Kremlini ku moraku spanjoll u prit nga presidenti rus, Vladimir Putin.

“I duhet dhënë fund dramës që ka tronditur Sirinë, rrjedhimisht gjithçka duhet arritur në kuadër të Këshillit të Sigurimit në OKB”, u shpreh monarku i cituar nga agjencia ruse e lajmeve ”Ria Novosti”.

“Mund të mbështeteni tek Spanja për sa u takon marrëdhënieve me Bashkimin Evropian”, theksoi Juan Carlos, të cilit iu dha një dekoratë nderimi e lartë e shtetit rus për veprat e tij ”në fushën humanitare”.

Ndërmjetësi i OKB-së dhe Lidhjes Arabe për Sirinë, Kofi Annan u shpreh “i zhgënjyer” nga bllokimi i një rezolute në Këshillin e Sigurimit që mund të ushtronte presion të ndjeshëm tek regjimi sirian, sipas zëdhënësit të tij.

”Annan është tepër i zhgënjyer tek sheh se në një moment kaq thelbësor dhe vendimtar Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk mundi të unifikohej me qëllim që të vepronte në mënyrë të vendosur dhe konkrete siç ndërmjetësi kishte kërkuar dhe shpresuar”, u shpreh zëdhënësi i Annan.

Artikulli paraprakParlamenti anglez i shqetësuar për sigurinë e Lojrave Olimpike
Artikulli vijuesLëngu i mollës kuron gurët në veshka