Një grup i ish nxënësve të kolegjit Jahja Kemal kanë protestuar para objektit të këtij institucioni arsimor me grisjen e diplomave të tyre, raporton SHENJA. Kjo pas grusht shtetit që thonë se tentoi ta bëjë Fetullah Gyleni, pronar i linjës së kolegjeve “Jahja Kemal” ndaj pushtetit turk. Muhamed Tahiri u bëri apel gjithë prindërve që të mos i regjistrojnë fëmijët e tyre në këtë kolegj, që të mos e bëjnë gabimin e njëjtë që e kanë bërë ata.
“Si pasojë e ngjarjeve të mbrëmshme të organizuara nga grupi terrorist i Fetullah Gylenit, në territorin e Republikës së Turqisë, ne sot shprehim shqetësimin tonë të thellë ndaj këtij institucioni arsimor i cili është i dirigjuar po nga ky grupacion. Prandaj ne si studentë të diplomuar nga kolegji Jahja Kemal sot gjendemi këtu për ta shprehur revoltën tonë ndaj këtij institucioni arsimor. u bëjmë apel të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë që të jenë më të kujdesshëm se kujt ia lënë amanet fëmijët e tyre. Fjala e fundit që ne duam tua përcjellim qytetarëve tanë është kjo. Ne dje gabuam, ju nesër mos gaboni. Andaj sot revoltën tonë do ta shprehim me grisjen e diplomave tona”, deklaroi Muhamed Tahiri, ish nxënës i kolegjit ” Jahja Kemal”