Videoja nga Siria që i bëri të qajnë anëtarët e Këshillit të Sigurimit (Video)

Anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së u kanë shkuar lotët derisa po shikonin një video të një sulmi vdekjeprurës me armë kimike (gaz klorik), që kishte ndodhur muajin e kaluar në veriperëndim të Sirisë.
Sipas BBC-së, videoja tregon përpjekjet e pasuksesshme të mjekëve për të ringjallur tre fëmijë, të gjithë të moshës nën katër vjeçare.
 
Ambasadorja amerikane në OKB, Samantha Power, e përshkroi këtë takim të Këshillit të Sigurimit si “shumë emocionale”, dhe tha se ata që janë përgjegjës për këto sulme, do të mbajnë përgjegjësi.
 
Qeveria siriane mohon se ishte përgjegjës për sulmin në Idlib, por mjekët sirianë këmbëngulin se kanë parë helikopterët tek fluturonin mbi fshatin Sarmin, më 16 mars.
 
Pastaj filloi një zhurmë e mbytur, një erë që kundërmonte, e zbardhur dhe dhjetëra njerëz që u drejtuan drejt ndërtesës së spitalit lokal, pasi kishin vështirësi me frymëmarrjen.
 
Video tregon përpjekjet e mjekëve për të ringjallur tre fëmijë, të moshës një, dy dhe tre vjeçe, prindërit dhe gjyshen e tyre.
 
Duke folur për BBC, Zaher Sahloul, president i një organizate mjekësore siriano-amerikane, i cili mori pjesë në takim, tha se anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ishin të prekur nga ajo që panë.
 
“Disa prej tyre ishin duke qarë. Në mënyrë të qartë ata ishin shumë të prekur nga ajo që kishin parë në video. Shumë prej tyre folën jashtë gjuhës diplomatike dhe shumë prej tyre e komentuan si veprim të tmerrshëm, dhe se autorët duhet të dalin përpara drejtësisë”.
 
“Shumë prej tyre sugjeruan se ONAK (Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike), duhet të ketë një hetim të menjëhershëm dhe serioz”, tha Sahloul, duke e përshkruar si të tmerrshme luftën civile në Siri, e cila filloi më 2011 me kryengritje kundër regjimit të Bashar al Asadit dhe më pas degjeneroi në luftë klanesh e sektesh fetare.
 
Ambasadorja amerikane Power tha se në këtë takim nuk ka pasur anëtarë që nuk i ka pasur sytë me lot.
 
Sipas saj, kjo dëshmi e mbledhur tashmë, do të çojë nj ditë përpara drejtësisë përgjegjësit e këtij krimi.
 
“Vendosja e drejtësisë është duke marrë më shumë kohë se sa që ne do të dëshironim, por ky dokumentar, që e pamë sot, do të përdoret një ditë, në një gjykatë që do të vendos ligjin edhe për atë që po ndodh në Siri”, tha Power, të enjten në mbrëmje.
 
Sulmi kimik në fshatin Sarmin erdhi vetëm disa ditë pasi Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një rezolutë që dënoi përdorimin e kimikaleve toksike të tilla si klori në Siri, dhe kërcënoi me veprime ushtarak në rast të shkeljeve të mëtejshme.
 
Shtetet e Bashkuara dhe anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit kanë fajësuar gjatë qeverinë e Bashar al-Asadit për kryerjen e këtyre sulmeve me armë kimike. Sipas tyre, ushtria siriane është e vetmja palë në konflikt që posedon helikopterë, e që të gjithë i dëgjuan dhe panë derisa fluturuan përmbi fshatin Sarmin.
 
Por Rusia, një nga anëtarët me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit, e cila është edhe një aleate e Sirisë së Bashar al Asadit, gjithmonë ka kundërshtuar ndërmarrjen e veprimeve me arsyetimin se nuk ka prova të mjaftueshme për të fajësuar vetëm Damaskun. /lajmi.net/
Artikulli paraprakGoogle i përgjigjet hetimeve të BE-së për Android
Artikulli vijuesFacebook Messenger vjen edhe në desktop